Arrestimi i ish-anëtarit të UÇK-së, reagon policia e Tiranës

Arrestimi në Tiranë i ish-anëtarit të UÇK-së, avokati lëshon akuza: Është dora e zgjatur e Serbisë, duan t’i çojnë në giotinë
Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj është arrestuar sot në Tiranë. Arrestimi i ish-anëtarit të UÇK-së, është bërë me urdhër të Gjykatës Speciale të Kosovës.
Në një intervistë për News24, avokati i tij u shpreh se në këtë arrestim sheh ‘duar të zgjatura të Serbisë’.
“Në këtë përfundim, konstatoj duar të zgjatura të Serbisë për t’i çuar luftëtarët e UÇK në giotinë. Më tej do të shikojmë kërkesa për ekstradim. Nuk është një procedurë që bëhet menjëherë. E vërteta sado të zhytet, nuk mundet, Dritani di të durojë sepse ka duruar edhe makinerinë e plumbave serbe”, tha ai.
Policia e Tiranës ka reaguar pas arrestimit të ish-anëtarit të UÇK-së.
NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjec, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



