Arrestimi i Jorgo Goros, Dule: Të gjitha fijet i lëviz Edi Rama, Beleri të betohet

Arrestimi i kryetarit në detyrë të bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka marrë vëmendjen edhe të mediave greke.

“Kathimerini” shkruan në një artikull të saj se ai akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre “për krijimin e dokumenteve të rreme për të marrë tokë qeveritare për një ish-deputet i cili planifikoi të ndërtonte një resort turistik privat atje”.

Media greke shkruan se Goro me zyrtarët e tjetrë rrezikojnë të dënohen me shtatë vjet burg nëse shpallen fajtorë.

“Një tjetër person u arrestua dhe tre zyrtarë të tjerë të bashkisë Himare dhe Vlorë u vendosën në arrest shtëpie. Të pestët përballen me deri në shtatë vjet burg nëse shpallen fajtorë. Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Goro apo avokati i tij të shtunën”, shkruan Kathimerini, e cila thekson se “Goro ishte akuzuar nga politikani i burgosur Fredi Beleri se kishte prodhuar dokumente të rreme në lidhje me pronën prej 5512 metrash katrorë për resortin”.

Ndaj Jorgo Goros janë bërë dy kallëzime penale. Por, kallëzimi që i kushtoi arrestimin është ai i Fredi Belerit, kryebashkiaku që e mundi nga burgu në zgjedhjet e 14 majit të një viti më parë. Si bazë për kallëzimin e tij nga Beleri ka shërbyer një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Bashkinë e Himarës për vitet 2019-2021. KLSH ka gjetur shkelje të ligjeve në procedurat e tenderimeve publike, mosmbledhjes dhe mospasqyrimit të drejtë të të ardhurave dhe debive në buxhetin e bashkisë, si dhe në dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, Beleri kallëzoi Goron edhe për falsifikimin e dokumenteve në rastin e investimit strategjik të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka. Mësohet se ky është kallëzimi që ka çuar në pranga Goron.

Kryebashkiaku socialist mbeti në detyrë si kryebashkiak i Himarës edhe pse humbi zgjedhjet e 14 majit ndaj Fredi Belerit, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve dhe është dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës së Posaçme për korrupsion zgjedhor.

Publikuar nga Publik Media