Arrestohen 2 personat që tërhoqën zvarrë protestuesin në Zvërnec
Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Zvërnec, ku një protestues u tërhoq me forcë dhe u dhunua gjatë tubimit kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura.
Ngjarja, e cila shkaktoi reagime të forta publike, lidhet me protestën e zhvilluar më 30 maj 2026 në Portonovë, ku qytetarë dhe aktivistë kundërshtuan projektet ndërtimore në zonë. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan momentin kur një pjesëmarrës në protestë u mor zvarrë dhe u godit, duke ngritur shqetësime për përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga janë vënë dy shtetas, A. G., 35 vjeç dhe G. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, për të cilët Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Ata akuzohen se në bashkëpunim me shtetasin G. B., i arrestuar më herët, kanë tërhequr me forcë drejt një zone të rezervuar për rojet protestuesin E. S., duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Nga verifikimet e kryera rezulton se dy të ndaluarit nuk janë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për ofrimin e shërbimeve private të sigurisë fizike, çka ngre dyshime të forta mbi mënyrën e organizimit dhe menaxhimit të sigurisë gjatë aktivitetit në zonë.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë personave të përfshirë në veprime apo mosveprime të kundërligjshme gjatë kësaj ngjarjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



