Arrestohen 5 persona në Tiranë, policia jep detajet
Në orët e fundit policia e Tiranës ka arrestuar 6 persona për vepra të ndryshme penale. Në njoftim thuhet se njëri prej tyre ishte i shpallur në kërkim për djegie të pyejeve.
“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë ndalimin e shtetasit V. Z., 32 vjeç, pasi, në Mjull, Bathore, Njësia Administrative Farkë, ka ndezur një zjarr në pronën e tij dhe për pasojë janë dëmtuar ullishtet që ndodheshin në kufi me pronën e tij”, sqaron policia.
Po ashtu specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. M., 25 vjeç, pasi në rrugën “Osman Myderizi”, u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Ky shtetas, sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka hedhur në tokë një sasi lënde të dyshuar cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. S., 48 vjeç, sepse në rrugën “Mujo Ulqinaku”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, të shtetasit B. K., 53 vjeç, pasi në Kamzë, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin Sh. K., duke i shkaktuar atij dëmtime të lehta.
Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: G. G., 19 vjeç dhe A. M., 19 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



