Arrestohet 30-vjeçarja që braktisi foshnjen që ndërroi jetë në spital
30-vjeçarja Egljanta Isufi dyshohet se e lindi beben e vetme në garazhin e pallatit. Më pas, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ajo u rikthye në shtëpinë e saj duke e lënë të porsalindurin në mëshirë të fatit.
Pak orë pasi foshnja që u braktis në bodrumin e një pallati ndërroi jetë, policia ka arrestuar nënën 30-vjeçare.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, që bën fjalë për gjetjen e një foshnje të sapolindur, në bodrumin e një pallati në Yzberisht, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë arrestuar shtetasen E. I., 30 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.
Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë, së bashku me stafin mjekësor, kanë dërguar në spital, foshnjën e braktisur nga kjo shtetase, por pavarësisht ndihmës së menjëhershme të dhënë nga shërbimet e Policisë dhe stafit mjekësor, ditën e sotme foshnja ka ndërruar jetë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ngjarja e rëndë u zbulua një ditë më parë në zonën e Yzberishtit, në kryeqytet, atëherë kur një banor i zonës dëgjoi të qarat e bebes së porsalindur . I mituri u dërgua në spital dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



