Arrestohet 31-vjeçari, dhunoi dhe i vodhi automjetin punonjësit të OSHEE
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Delvinë, ku një 31-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një punonjësi të OSHEE-së dhe më pas i ka marrë automjetin e kompanisë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Thirrja”, u arrestua Hodo Zervoi, banues në fshatin Vanë. Ai u identifikua dhe u kap nga shërbimet e policisë vetëm pak orë pas kallëzimit të bërë nga punonjësi i OSHEE-së.
Sipas burimeve zyrtare, automjeti i vjedhur u gjet nga uniformat blu dhe iu rikthye menjëherë subjektit, në zbatim të urdhrit të prokurorit.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj të dyshuarit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë të ftohtë, thikë, e cila u mor si provë materiale në kuadër të hetimeve.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe me shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, finalizuan operacionin e koduar “Thirrja”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi H. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Vanë. Ai u lokalizua dhe u kap pak orë pas kallëzimit të një punonjësi të OShEE-së, se një shtetas e kishte dhunuar për t’i vjedhur automjetin e kompanisë, i cili u gjet dhe iu kthye subjektit, në zbatim në urdhrit të prokurorit. Më tej, gjatë kontrollit fizik, shtetasit H. Z. iu gjet 1 armë e ftohtë (thikë)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



