Arrestohet drejtuesi i kamionit në Portin e Durrësit
Policia Kufitare ka goditur një rast të kontrabandës me mallra, që paguhet akcizë dhe të falsifikimit të dokumenteve.
Mësohet se janë sekuestruar steka me cigare, të cilat ishin fshehur poshtë dyshekut dhe dokumente të falsifikuara në Portin e Durrësit.
Sakaq, bëhet me dije se po procedohet penalisht drejtuesi i kamionit A. A., 39 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Policia Kufitare godet një rast të kontrabandës me mallra që paguhet akcizë dhe të falsifikimit të dokumenteve.
Procedohet penalisht drejtuesi i kamionit.
Sekuestrohen steka me cigare dhe dokumente të falsifikuara.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit kanë rritur kontrollin në dalje dhe në hyrje, për të gjithë kamionët që transportojnë mallra.
Si rezultat i kontrollit në vijën e dytë, të kamionit me drejtues shtetasin A. A., 39 vjeç, në kabinë, poshtë dyshekut, u konstatuan të fshehura steka me cigare, të cilat në imazhin e skanimit nuk ishin të markuara.
Po gjatë kontrollit të detajuar rezultoi se targat e rimorkios dhe leja e qarkullimit nuk i përkisnin kësaj rimorkioje.
Në vendngjarje kanë mbërritur specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, të cilët në përfundim të veprimeve të para kanë proceduar penalisht shtetasin A. A., për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



