E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arrestohet gazetari Arjan Konomi në Vuno
Lajme

Arrestohet gazetari Arjan Konomi në Vuno

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka denoncuar publikisht një incident të ndodhur në fshatin Vuno, ku sipas tij gazetari dhe publicisti Arian Konomi është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Himarës pas një debati me personat që shoqëronin Kryeministrin Edi Rama.

Sipas versionit të bërë publik nga Lapaj, konflikti ka nisur për shkak të parkimit të automjeteve të eskortës së Kryeministrit në qendër të fshatit.

Lapaj pretendon se banorët e zonës gjobiten nga policia për parkime të parregullta, ndërsa automjetet qeveritare, sipas tij, kishin zënë një pjesë të qendrës së Vunos.

Në denoncim thuhet se Arian Konomi, i cili është banor i fshatit Vuno, ka kërkuar që i njëjti standard ligjor që zbatohet ndaj qytetarëve të zbatohej edhe ndaj automjeteve dhe zyrtarëve shtetërorë.

“Ligjin së pari duhet ta zbatojë Kryeministri e mandej çdo qytetar”, shkruan Lapaj.

Sipas tij, pas kundërshtimit, Konomi është marrë nga truprojat që shoqëronin Kryeministrin dhe më pas është dërguar në Komisariatin e Policisë së Himarës.

Lapaj e cilëson ngjarjen si një sjellje “përtej ligjit” dhe kërkon sqarimin e plotë të rrethanave në të cilat gazetari është shoqëruar në polici.

Ai ka reaguar me tone të ashpra edhe ndaj mënyrës së ndërhyrjes së personave të sigurisë, duke pretenduar se ndaj Konomit është përdorur një sjellje e papërshtatshme dhe arbitrare.

Deri në këtë moment, pretendimet e bëra publike nga Adriatik Lapaj për mënyrën e shoqërimit të Arian Konomit mbeten version i denoncuesit. Mbetet për t’u sqaruar nga Policia e Shtetit se çfarë ka ndodhur konkretisht në Vuno, përse Konomi është shoqëruar në komisariat dhe nëse gjatë incidentit ka pasur shkelje nga personat e përfshirë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.