E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arrestohet ish-ministri dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë
Lajme

Arrestohet ish-ministri dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, njoftoi mbrëmjen e djeshme finalizimin me sukses të një operacioni të gjerë kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, pas një hetimi disamujore të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet relevante.

Sipas Sveçlës, operacioni është bazuar në informacione të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe ka çuar në arrestimin e disa zyrtarëve të lartë publikë, të dyshuar për përfshirje në veprime të paligjshme të lidhura me procesin e shpronësimit të pronave private. Mes të arrestuarve është edhe një ish-ministër.

Ministri thekson se të dyshuarit kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë: kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, J.M.; disa zyrtarë nga avokatura (N.K., M.D. dhe B.D.); eksperti i gjykatës Sh.T.; një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve; një zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës, G.L.; si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, F.I.

Hetimet tregojnë se grupi dyshohet se ka iniciuar dhe depozituar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim përfitimin e paligjshëm nga fondet publike, përmes rikompensimeve të padrejta për shpronësime të kryera gjatë viteve 2011–2015.

“Koha kur zyrtarët publikë keqpërdornin buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar ka përfunduar,” thekson Sveçla, duke përgëzuar institucionet për bashkëpunimin dhe suksesin e këtij operacioni.

Ai shton se vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe angazhimi qytetar po japin rezultate konkrete në ndërtimin e një shteti ligjor, të fortë dhe të paprekshëm nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.