Arrestohet vëllai i eksponentit të PS, theu `arrest në shtëpi` dhe qëlloi me pistoletë
Një nga emrat më të njohur të Partisë Socialiste, që ka mbajtur detyra të rëndësishme (Dy herë deputet, Inspektor i Përgjithshëm i SHIK, Këshilltar pranë qeverisë, Zv. Ministër etj) edhe gjatë qeverisjeve të mëparshme socialiste, Arben Isaraj, pak kohë më parë dha dorëheqjen si drejtor i Përgjithshëm i Patentave për shkak të veprimtarisë kriminale të vëllait të tij, Altin Isaraj. Ky i fundit është një emër mjaft i njohur për policinë dhe 1 vit më parë, u arrestua për “trafikim të armëve dhe municioneve” dhe “shpërndarje të lëndëve narkotike”. Por duket se sërish Isaraj i ka shpëtuar kontrollit policor pasi ishte lënë nga gjykata me “arrest shtëpie”. Mbrëmjen e djeshme ai është arrestuar sërish nga uniformat blu, pasi ka qëlluar me pistoletë në ajër duke terrorizuar qytetarët pranë rrugës së Rezervave të Shtetit. Pas njoftimeve të qytetarëve, uniformat blu kanë kryer arrestimin e tij në flagrancë dhe kanë sekuestruar pistoletën, me të cilën qëlloi në ajër shumë herë.
Njoftimi i Policisë
Bashkëpunimi komunitet-polici vë në pranga një 48-vjeçar për armëmbajtje pa leje i cili ishte dhe me masë sigurie “arrest shtëpie”.
Sekuestrohet armë zjarri pistoletë e municion luftarak.
Shërbimet e policisë të komisariatit nr.1, arrestuan në flagrancë shtetasin:
A. I., 48 vjeç, banues në Tiranë (me masë sigurie “arrest shtëpie” për veprat penale “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike” dhe Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”).
Në sallën operative ka ardhur telefonatë nga qytetarët se në rrugën e rezervave të shtetit është qëlluar në ajër me armë zjarri nga një mjet. Shërbimet e policisë në bazë të karakteristikave të dhëna kanë bërë ndalimin e mjetit me drejtues shtetasin A. I., dhe pasagjer shtetasit R. E., 15 vjeç dhe E. E., 27 vjeç (vëllezër).
Në mometin e kontrollit policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë e cila i përkiste shtetasit A. I.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
Mjetin; një armë zjarri pistoletë; dy krehëra dhe 21 fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasit A. I., për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” parashikuar nga nenet 278 dhe 323 të Kodit Penal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



