Arrestohet vëllai i zv/drejtorit të Policisë së Kufirit në Shkodër garanti i 1 ton kanabis.
Një punonjës policie është vënë në pranga në Velipojë, pasi kishte dalë garant për transportin e 1 ton kanabisi për në plazhin e Vilunit.
Burime nga policia thanë se është vënë në pranga Enrik (Prel) Zylja. Ai është prangosur në momentin që ishte duke transportuar drogën me anë të një furgoni.
Ai është vëllai i zv/Drejtorit të Policisë së Kufirit, Ndrek Zylja.
Forcat Operacionale nga Tirana mësohet se u kanë thënë policëve të patrullës që të ruajnë furgonin pasi ka disa hajdutë. Në momentin që droga po shkarkohej nga furgoni për në bodrumin e hotelit në Vilun Forcat nga Tirana ndërhynë. Policia kishte rënë prej disa kohësh në gjurmët e trafikantëve pas përgjimeve, ndërsa priti momentin e fundit për t’i arrestuar.
Nga operacioni përpos policit janë ndaluar edhe disa persona. Aktualisht droga e sekuestruar po peshohet, ndërsa drejtori i Policisë së Qarkut të Shkodrës ka paralajmëruar një konferencë për mediat për të dhënë më shumë detaje nga operacioni. Aksioni vijon për të vendosur para drejtësisë të gjithë personat që janë përfshirë në trafikun e lëndës narkotike, nga Shkodra ku u nis kanabisi dhe deri në Velipojë. FNSH dhe Forcat Operacionale kanë ngritur pika kontrolli në fshatrat Rrioll dhe Baks në Shkodër, pasi dyshohet për persona të tjerë që janë të përfshirë. Pas vështirësisë në Jug të vendit, tashmë trafikantët po tentojnë që të trafikojnë kanabisin drejt Italisë nga zona e Shëngjinit dhe Velipojës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



