E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arsimi që po shuhet!
Flash

Arsimi që po shuhet!

Universitetet publike në koma, qeveria në gjumë

Nga redaksia Publik.al

Studentët po zhduken nga auditorët, dhe bashkë me ta po shkon drejt zhdukjes edhe e ardhmja e këtij vendi. Qeveria flet për “strategji”, “modernizim”, “reforma”, por në realitet, arsimi i lartë publik është në krizën më të thellë që nga paslufta. Auditorët bosh nuk janë më rastësi, por pasojë direkte e një politike që ka degraduar sistematikisht arsimin shqiptar për ta kthyer në një mall të shtrenjtë, pa vlerë, dhe pa shpresë.

Universitetet publike po shuhen, privatët po lulëzojnë

Nga 117 mijë studentë në vitin 2016 në vetëm 86.900 në vitin 2024. Një rënie dramatike që nuk mund të shpjegohet vetëm me emigracionin. Rënia është rezultat i dështimit të shtetit për të ofruar kushte minimale për studim, infrastrukturë, motivim dhe perspektivë. Universiteti i Tiranës, dikur krenaria e arsimit shqiptar, ka humbur mbi 6 mijë studentë në më pak se një dekadë. Në Universitetin Bujqësor dhe atë të Vlorës, auditorët janë bosh, laboratorët janë muze, dhe profesorët janë më shumë burokratë sesa mentorë.

Në të njëjtën kohë, universitetet private  shpesh të ngritura nga biznesmenë të lidhur me pushtetin po lulëzojnë. Aldent, Barleti, Epoka, UET… ofrojnë diploma të shpejta, ambiente luksoze dhe premtime për punësim. Dhe ndërsa këto institucione shndërrohen në fabrika fitimi, universitetet publike mbeten pa fonde, pa laboratorë, pa studentë dhe pa të ardhme.

Një politikë që ka vrarë dijen

Qeveria shqiptare e ka trajtuar arsimin si një fushë lëmoshash, jo si prioritet kombëtar. Mësuesit dhe pedagogët janë mes profesionistëve më të nënvlerësuar në shoqëri. Shpenzimet për arsimin publik janë poshtë çdo norme europiane, ndërkohë që paratë hidhen me qindra milionë në koncesione të kotë, tendera për mobilime zyrash dhe propagandë dixhitale.

Në vend që të investohet në laboratorë, kërkim shkencor, trajnime dhe modernizim, universitetet janë lënë në mëshirë të burokracisë dhe partishmërisë. Rektorë që zgjidhen me vota politike, pedagogë që emërohen me telefonata, programe që nuk kanë lidhje me tregun e punës. Ky është realiteti i arsimit “rilindas” që ka prodhuar një brez të zhgënjyer, që sheh si rrugëdalje të vetme largimin nga vendi.

“Reforma e arsimit” emër tjetër për shkatërrim

E ashtuquajtura “Reformë e Arsimit të Lartë” ishte premtuar si modernizim. Sot, është bërë sinonim i rrënimit. Rritja e tarifave, mungesa e bursave reale, mungesa e transparencës dhe ndarja e fondeve me klientelizëm kanë larguar mijëra të rinj nga universitetet publike. Shteti nuk financon më dijen – financon luksin e pakicës.

Dhe ndërsa universitetet private po përthithin rininë, ato po kthehen në vegla të rekrutimit politik dhe ekonomik. Kush ka para, studion. Kush s’ka, largohet.

Në një vend që po plaket me shpejtësi, kjo politikë është vetëvrasje kombëtare.

Dija nuk është luks, është mbijetesë

Nëse shteti nuk e trajton arsimin si bazë të zhvillimit, çdo plan për “rritje ekonomike” është një mashtrim. Një vend pa studentë është një vend pa të ardhme. Pa mjekë, pa inxhinierë, pa mësues, pa mendje të reja. Në vend që të ndërtojë universitete, qeveria po ndërton kulla. Në vend që të rrisë buxhetin për kërkim, po rrit faturën për marketing.

Ky vend po humbet gjeneratën e tij më të zgjuar. Dhe kur ikin studentët, nuk shkon vetëm dija  por shkon shpresa, shkon identiteti, shkon vetë Shqipëria.

Arsimi nuk është kosto buxhetore,  është investim në ekzistencë. Dhe sa më shumë të vonohemi për ta kuptuar këtë, aq më shpejt po e shkatërrojmë të ardhmen që s’kemi më luksin ta humbasim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.