Artan Fuga i përgjigjet Sassolit: Uroj mos të ketë gënjyer. Këtu veprojnë lobime të fuqishme anti- europiane
Vizitën e Presidentit të PE, Davide Sassoli i cili tha se në Shqipëri gjeti një bashkim njerëzish për projektin e integrimit europian, e komenton akademiku dhe profesori Artan Fuga.

Në një postim në facebook, Fuga uron që Sassoli mos ketë gabuar, gënjyer apo vetëgënjyer, pasi sipas studimeve të akademikut në Shqipëri veprojnë lobime të fuqishme anti- europiane, realiteti shqiptar i është larguar atij europian, në vend veprojnë faktorë të rëndësishëm që s’kanë asnjë lidhje me integrimin europian po ashtu se vendi është i izoluar kulturalisht, ekonomikisht dhe politikisht nga Europa.
Postimi i plotë:
I nderuar Shkëlqesia Juaj zoti David Sassoli:
Shqipëria europiane ka pësuar knockdoën
—————————————————-
Unë nuk e di sesi arriti zoti David Sassoli, kryetar i Parlamentit Europian, te përfundimi se në Shqipëri gjeti një bashkim të njerëzve rreth projektit të integrimit europian.
Ashtu qoftë!
Nuk e di se ku u mbështet, ku i mori faktet, ku i bëri matjet e opinionit, ku i studjoi prirjet e ekonomisë, të kulturës, të administrimit.
Punë e tij!
Uroj të mos ketë gabuar! Do të m’a donte zemra!
Sa për mua, unë i qendroj bindjes që vjen nga studimet e mia se :
- Realiteti i shoqërisë shqiptare i është larguar gjithnjë e më shumë integrimit europian, jo vetëm në politikë, por, edhe në art, kulturë, shkencë, ekonomi.
- Shqiptarët emigrojnë në Evropë sepse ndjejnë se modeli europian është në zbehje dhe në pikjatë në Shqipëri.
- Në Shqipëri veprojnë faktorë të fuqishëm që nuk kanë asnjë interes që Shqipëria të integrohet në BE. Si asnjëherë më parë Shqipëria është e përçarë mes qytetarëve që vazhdojnë ende të duan një afrim me BE, dhe lobive të fuqishme antievropiane në veprime, por hipokrizisht europianiste.
- Modeli i zgjedhjeve, i gjykatave, i drejtësisë, i ekonomisë, i të drejtave të njeriut nuk ka asnjë avancim, përkundrazi është në lëvizje të kundërt me modelet europiane.
- Shqipëria europiane, Shqipëria e rrënjëve, e traditës, ka qenë pjesë e Europës në besimet, organizimet sociale, vlerat njerëzore, kurse sot kulturalisht dhe ekonomikisht, politikisht është e izoluar nga Evropa. Njësoj, në disa drejtime të rëndësishme, si në kohën e Perdes të Hekurt!
Hapen ose nuk hapen negociatat, kjo nuk ka lidhje fare me atë që fatkeqësisht është sot pozicioni i lobeve të fuqishme shqiptare kundër BE.
Unë uroj sinqerisht që zoti David Sassoli t’a ketë të bazuar çka deklaroi, të mos e kenë gënjyer, ose më keq, të jetë vetëgënjyer!
Forcimi i europianizmit në Shqipëri kërkon përqasje të tjera sa nuk është shumë vonë!

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



