Atentat apo përplasje? Detaje tronditëse nga të shtënat në Lezhë
Të tjera informacione dalin në dritë lidhur me atentatin e ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 30-vjeçari Sokol Daci.
Gazetari Elidon Ndreka raporton, duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor në vendngjarje, se i riu nuk dyshohet të ketë qenë objektivi i sulmit. Sipas hetimeve paraprake, ai ndodhej brenda biznesit të tij në momentin e ngjarjes, së bashku me disa persona të tjerë.
Dyshohet se tre persona kanë mbërritur në zonë me një automjet tip “Audi” dhe, pasi kanë zbritur nga makina, kanë hapur zjarr në drejtim të berberhanes. Si pasojë e të shtënave, Sokol Daci ka mbetur i plagosur, duke marrë tre plumba: në shpatull, në bark dhe në këmbë.
Burimet hetimore bëjnë me dije se brenda biznesit ndodheshin edhe katër persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë kundërpërgjigjur me armë zjarri, çka e bën ngjarjen një përplasje të armatosur dhe jo një atentat të drejtpërdrejtë ndaj 30-vjeçarit.
Fatmirësisht, i plagosuri ndodhet në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa është transportuar për trajtim të specializuar në Spitalin e Traumës.
Biznesi ku ndodhi ngjarja nuk ishte i pajisur me kamera sigurie, por policia po verifikon pamjet e bizneseve përreth, me shpresën se mund të kenë regjistruar lëvizjet e autorëve para ose pas sulmit.
Ndërkohë, gazetarja Klodiana Lala raporton se në afërsi të vendit të ngjarjes ka qenë edhe një punonjës policie, i cili ka deklaruar se nuk ka mundur të shohë autorët e të shtënave. Po ashtu, dyshohet se nga përplasja me armë ka mbetur i plagosur edhe një anëtar i familjes Nikulaj, i cili nuk është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore.
Autorët e ngjarjes mbeten ende të paidentifikuar, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehjen e zonës për kapjen e tyre.
Njoftimi paraprak i Policisë
Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar për një plagosje me armë zjarri në qendër të fshatit Rrilë. Shërbimet policore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku u konstatua se ishte plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në zonë. I plagosuri u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



