‘Kur Medellín zbarkon në zemër të Lezhës’
Publikohen pamjet e atentatit në Rrilë
Pamjet filmike të atentatit të armatosur të ndodhur në fshatin Rrilë të Lezhës janë bërë publike, duke zbuluar momentet e sulmit ku mbeti i plagosur rëndë berberi Sokol Daci. Videoja, e siguruar nga kamerat e sigurisë, shfaq çastin kur persona të armatosur hapin zjarr me kallashnikov drejt berberhanes, duke vënë në rrezik jetën e të gjithë atyre që ndodheshin brenda dhe në afërsi të lokalit.
Pamjet janë publikuar nga gazetari Artan Hoxha, i cili përmes një reagimi thekson përmasat e rënda të sulmit. Ai e përshkruan fuqinë e zjarrit ndaj berberhanes si një skenë që i ngjan sulmeve të organizatave kriminale në Amerikën Latine, duke shtuar se vetëm rastësia ka shmangur një bilanc edhe më tragjik, pasi në një hapësirë shumë të vogël ndodheshin disa persona që mund të kishin humbur jetën.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, dy persona të armatosur me kallashnikov kanë qëlluar nga jashtë lokalit, ndërsa nga brenda dyshohet se është kthyer zjarr me pistoleta. Kjo ka sjellë një përplasje të armatosur ku dyshohet se janë përfshirë të paktën katër persona.
Ngjarja daton mbrëmjen e së dielës, kur shtatë persona të maskuar dhe me kapuçë janë futur në ambientet e berberhanes duke u prezantuar si punonjës policie dhe duke u bërë thirrje të pranishmëve të mos lëviznin. Sipas hetimeve, pesë prej tyre ishin të armatosur me armë automatike, ndërsa dy të tjerë mbanin shkopinj bejsbolli.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe veprimet hetimore rezulton se objektivi fillestar i autorëve dyshohet të ketë qenë 21-vjeçari Merando Nikulaj, me të cilin kishin pasur një konflikt të mëparshëm. Në momentin kur ata janë futur në ambientin ku i riu po qethej, situata është përshkallëzuar në të shtëna me armë zjarri, duke çuar në një përplasje të armatosur brenda dhe jashtë lokalit.
Policia bën me dije se, krahas efektivit Besart Kovaçi – i arrestuar për shpërdorim detyre – dyshohet se me armë ka qëlluar edhe vetë Nikulaj. Në këtë përplasje, një nga autorët ka hapur zjarr me breshëri automatiku, duke plagosur rëndë berberin Sokol Daci, i cili ndodhej në vendin e punës në momentin e sulmit.
Deri tani, hetuesit kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim katër persona të dyshuar si të përfshirë: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka, Kevin Ndoka dhe Merando Nikulaj. Ky i fundit dyshohet se ka mbetur i plagosur në këmbë, por nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore.
Ndaj personave të përfshirë rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”. Policia njofton se vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tyre, ndërsa po kryhen kontrolle në disa zona ku dyshohet se mund të jenë fshehur. Hetimet vazhdojnë për të dokumentuar plotësisht rolin e secilit në këtë atentat të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



