Atentati te “Komuna e Parisit”, shkak dyshohet një sherr në sheshin “Skënderbej” (FOTO)
Policia e Tiranës identifikon katër të rinjtë që tentuan eliminimin e Lorenc Hoxhës nga Bulqiza. Për kapjen e tyre janë kryer kontrolle në disa lokale dhe banesa. Pista kryesore e hetimit janë konfliktet e të riut
Katër të rinj janë vënë në ndjekje nga Policia e Tiranës, si autorë të dyshuar për atentatin e bërë ndaj 24-vjeçarit nga Bulqiza, Lorenc Hoxha në kryqëzimin “Komuna e Parisit”. Burime nga Policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në mes të Tiranës, ka si motiv një sherr banal. Por, nuk përjashtohen nga pista e hetimit as motive të tjera, si prishja e pazareve të drogës me dy grupeve të rinjsh. Sipas hetimeve, autorët e moshës nga 23 deri 27 vjeç lëviznin me një automjet “BMW X5” dhe kanë tentuar që në bashkëpunim me njëri-tjetrin të ekzekutojnë me armë zjarri në një prej zonave më të populluar të Tiranës, dy të rinjtë e tjerë që lëviznin me mjetin “Mercedes Benz”.
Sipas burimeve, ngjarja e ka zanafillën tek një sherr banal që të rinjtë, shumica prej të cilëve nga Bulqiza, por me banim në Tiranë, janë përfshirë disa ditë më parë. ndërkohë, mësohet se 24-vjeçari që mbeti i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia ka zhvilluar kontrolle në orët e para të së premtes, në disa lokale ku dyshohej se ishin fshehur autorët pas ngjarjes. Nga kamerat e sigurisë së disa bizneseve autorët duken teksa ndjekin “Mercedesin” e bardhë dhe qëllojnë me armë duke rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve. Pasi është qëlluar, i plagosuri Lorenc Hoxha i cili drejtonte mjetin, ka bërë manovra të rrezikshme duke braktisur mjetin pas plumbit që mori në shpatull.
Motivi
E gjithë ngjarja është parë nga qytetarë të shumtë, të cilët ishin duke kaluar në kryqëzimin te Komuna e Parisit. Autorët ishin me një makinë të tipit “BMV X5”, ndërsa dy të rinjtë e tjerë me një automjet tip “Mercedes Benz”. Gjithçka ka ndodhur në momentin kur makinat po prisnin të ndizej semafori jeshil, në kryqëzim. Dy të rinj kanë dalë nga BMV-ja dhe i janë drejtuar Mercedesit. Njëri prej tyre i ka qëlluar një herë me armë në drejtim të shoferit, që ishte 24-vjeçari Lorenc Hoxha.
Ky i fundit i ka dhënë gaz makinës dhe është futur në një rrugë, ku ka braktisur makinën, ndërsa autorët kanë vazhduar rrugën për nga lulishtja “1 maji”. Hoxha ka braktisur makinën tij tip “Mercedes” me ngjyrë të bardhë dhe më pas është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka identifikuar katër të rinj si autorë të dyshuar të cilët kanë njohje me të plagosurin. Ata janë nga Bulqiza. Motiv i krimit dyshohet se është një sherr banal i ndodhur mes palëve të përfshira në konflikt disa ditë më parë, në sheshin në afërsi të sheshit “Skënderbej”. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 të së enjtes.
Lorenc Hoxha ishte duke udhëtuar me makinën tip “Benz” me targa AA 777 RT në pronësi të shtetasit Xhevdet Hoxha. Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë, ngjarja ka ndodhur në një zonë të populluar të kryeqytetit, ku edhe lëvizjet janë të shumta. Burimet thanë se autorët kishin për qëllim ekzekutimin e të riut, por ky i fundit ka mundur të shpëtojë nga plumbat pavarësisht se është kapur në befasi nga autorët. Sipas Policisë, lidhur me këtë ngjarje po hetohen të gjitha konfliktet që mund të ketë pasur i riu gjatë kohëve të fundit apo edhe konfliktet e vjetra.
Dëshmitari
Të shumtë kanë qenë personat që kanë parë se si ka ndodhur ngjarja. Një prej tyre ka treguar edhe momentin e plagosjes së 24-vjeçarit. Dëshmitari tregon se: “Fillimisht makina tip “Benz” e cila vinte nga kryqëzimi i “Komunës së Parisit” duke tentuar për t’u futur në rrugë dytësore, ka prekur me pasqyrë një kalimtare, e cila është rrëzuar dhe më pas drejtuesi i makinës nga frika se mund të kishte shkaktuar aksident është larguar me shpejtësi. I plagosuri është shkëmbyer me mua dhe i kam treguar se ku ndodhet ambulanca për të shkuar për të marrë ndihmën e nevojshme. Ndërkohë mjeti i cili i ishte pa frena ka lëvizur një gjendje të lirë dhe është futur brenda tunelit duke rrezikuar jetën e fëmijëve të lagjes, të cilët po luanin aty pranë. Shoferi i makinës, i plagosur me dorën që po i rridhte gjak, së bashku me një shokun e tij janë larguar me vrap nëpër rrugica”, rrëfen dëshmitari.
I plagosuri
Burime nga Policia e Tiranës bënë të ditur se 24-vjeçari Lorenc Hoxha ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën. A i mësohet se ka marrë një plumb në pjesën e shpatullës, ndërsa është duke marrë mjekimet e duhura në spital. Dje oficerët e Policisë mësohet se kanë shkuar për t’i marrë dëshminë të riut lidhur me atentatin e bërë ndaj tij. Burime nga policia thanë se, 24-vjeçari ka dhënë detaje për një sherr që ka pasur disa ditë më parë në kryeqytet me disa të rinj të tjerë. Ai mësohet se ka dhënë edhe emrat e tyre, por Policia thotë se për efekt hetimi nuk mund të publikohen. Ata janë vënë menjëherë në ndjekje, ndërsa dyshohet të jenë larguar nga kryeqyteti. Autorët e kësaj ngjarje kanë zgjedhur ta ekzekutojnë të riun në një zonë të populluar. Në fakt, veprimet e tyre nuk kanë qenë të menduara mirë. Sipas Policisë, autorët kanë vepruar në gjaknxehtësi, pasi edhe veprimet e tyre kanë jo të sakta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



