Atleti kampion David Nikolli: Njerëzit e lirë nuk mund të frikësohen
U ndëshkova pasi mora pjesë në protestë (Video)

Atleti i njohur shqiptar, David Nikolli, ka bërë një denoncim të fortë publik, duke pretenduar se është përballur me hakmarrje institucionale pas pjesëmarrjes së tij në protestat qytetare që po zhvillohen prej 21 ditësh përpara Kryeministrisë, ku kërkohet largimi i qeverisë.
Përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Nikolli deklaroi se është larguar nga vendi i tij i punës në sektorin shtetëror vetëm për shkak të përfshirjes në këto tubime si qytetar i lirë.
Rekordet dhe titujt që po i “mohohen”
Nikolli ka sjellë në vëmendje arritjet e tij të jashtëzakonshme në fushën e sportit, duke vënë në dukje kontrastin e madh mes kontributit të tij për vendin dhe trajtimit që po i bëhet aktualisht:
Kampion i Ballkanit me 8 medalje të fituara.
Mbajtës i 12 rekordeve kombëtare.
Shpallur rishtazi kampion kombëtar në dy disiplina të ndryshme të atletikës, vetëm pak ditë më parë.
Sipas atletit, pavarësisht këtyre rezultateve të larta, atij jo vetëm që i është hequr vendi i punës, por po tenton t’i mohohen edhe meritat dhe titujt sportivë për shkak të qëndrimit të tij politik dhe qytetar.
Beteja ligjore: “Do të shkoj deri në fund”
Atleti i dëshpëruar por i vendosur nga kjo situatë, ka paralajmëruar se çështja nuk do të mbyllet me aq. Së bashku me përfaqësuesit e tij ligjorë, ai do të ndjekë të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji për të kundërshtuar këtë vendim dhe për të kërkuar rivendosjen e të drejtave të tij.
“Jam këtu të denoncoj maskarallëkun e radhës së pushtetit. Unë si kampion që kam përfaqësuar vendin tim me krenari dhe kam dhënë gjithçka në sport, sot përballem me këtë padrejtësi. Më hiqet puna shtetërore dhe nuk më njihen titujt vetëm sepse kam dalë të protestoj me të rinjtë si qytetar i lirë,” u shpreh Nikolli.
Në mbyllje të reagimit të tij, ai dha një mesazh të qartë se nuk do të tërhiqet përballë presioneve apo tentativave për intimidim, duke thënë: “Këto padrejtësi do të dënohen ligjërisht. Mos u shqetësoni, koha do t’i rregullojë të gjitha. Njerëzit e lirë nuk mund të frikësohen.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



