Avokati i Popullit kërkon pas një jave hetim për arrestimin e shëmtuar të Ilir Metës
Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ lidhur me mënyrën e arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta. Për këtë arsye, është kërkuar informacion pranë Policisë së Shtetit për procedurat e ndjekura për zbatimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Avokati i Popullit ka detyrën të vlerësojë respektimin e të drejtave të njeriut nga Policia e Shtetit gjatë kryerjes së ndalimit apo arrestimit të çdo individi.
Edhe pse procedura e ndalimit të ish-presidentit ishte një akt i shëmtuar dhe i panevojshëm, Avokatit të Popullit i është dashur plot një javë për të vendosur nisjen e hetimit. Ndoshta, mandati i përfunduar prej dy vitesh i Erinda Ballancës e ka bërë pak dembel institucionin e drejtuar prej saj. Përndryshe, është e vështirë të kuptohet pse ky hetim është nisur pikërisht sot, kur episodi i shëmtuar i Policisë së Shtetit nuk është më në qendër të vëmendjes së publikut, i cili tani kërkon më shumë informacion për dosjen dhe akuzat sesa për mënyrën e ndalimit të Ilir Metës.
Kryetarja e institucionit të Avokatit të Popullit nuk ka qenë shumë aktive në raste të ngjashme të ndalimeve të qytetarëve të thjeshtë. Ndoshta ndjeshmëria e rritur për ish-presidentin vjen për faktin se ajo është zgjedhur në këtë post me votat e LSI-së, ose për arsye të tjera që e lidhin atë me Metën dhe persona të tjerë të përfshirë në dosje, të cilët kanë shprehur shqetësime të ngjashme me ato të zonjës Ballanca.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



