E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Avokati Saimir  Vishaj shpall kandidaturën për Avokat të Popullit
Lajme

Avokati Saimir Vishaj shpall kandidaturën për Avokat të Popullit

Fitova një betejë 7-mujore kundër flamit botëror – tani do të luftoj për të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo të burgosuri”

Pas një beteje të gjatë 7-mujore me një sëmundje të rëndë që ai e quan “flami botëror”, sëmundje që ka marrë jetën e mijëra njerëzve në gjithë globin.

Avokati Saimir Shaban Vishaj i është rikthyer publikut me një deklaratë të fortë për misionin e tij të ri: mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të çdo qytetari, pa dallim statusi apo pozite shoqërore.

“Do të luftoj për çdo njeri që përballet me dhunë, brenda dhe jashtë burgjeve”

“Fitova një betejë 7-mujore kundër flamit botëror që po merr jetën e mijëra njerëzve. Tani beteja ime është tjetër: do të luftoj për të mbrojtur çdo të burgosur apo person në paraburgim nga çdo formë dhune qoftë ajo fizike apo psikike e ushtruar nga administrata e burgjeve”, – deklaron Vishaj.

Ai thekson se do të mbrojë çdo qytetar të dhunuar gjatë arrestimeve arbitrare, ato ku përdoren maskat dhe dhuna, pa vendim gjykate dhe në kundërshtim me prezumimin e pafajësisë, parim themelor i të drejtës.

“Policia duhet të ndalë turpin e kapuçave në rrugë”

“E kemi parë shpesh policinë të veprojë në mes të rrugës, me kapuç e me kamera, duke i hedhur prangat qytetarit të thjeshtë apo intelektualit, përpara se drejtësia të flasë. Kjo është shkelje e rëndë e dinjitetit njerëzor dhe e prezumimit të pafajësisë. Do të jem aty ku shteti shkel ligjin ndaj qytetarit të vet”, – shton Vishaj.

Thirrja për Kuvendin: “Kërkoj mbështetjen e çdo deputeti”

Avokati i njohur, i cili prej vitesh ka përfaqësuar dhjetëra raste të rënda penale, shpalli publikisht kandidaturën e tij për postin e Avokatit të Popullit.

Në deklaratën e tij, ai i kërkoi çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht bindjeve politike, që të firmosë propozimin për kandidaturën e tij.

“I bëj thirrje çdo deputeti, pa dallim partie, që të japë pëlqimin me firmë për kandidaturën time për postin e Avokatit të Popullit.

Do të jem zëri i qytetarëve, i të burgosurve, dhe i çdo njeriu që përballet me padrejtësinë, dhunën apo përbuzjen nga pushteti.”

Një figurë e njohur e drejtësisë penale

Saimir Shaban Vishaj është një ndër avokatët më aktivë të sistemit gjyqësor shqiptar, i njohur për qëndrimet e tij publike kundër abuzimeve policore dhe mungesës së barazisë para ligjit.

Ai ka qenë shpesh në mbrojtje të personave të pambrojtur përballë administratës shtetërore dhe ka kërkuar reforma konkrete në sistemin e drejtësisë penale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.