Balla jep siguri për Raportin e Progresit: Negociatat me Bashkimin Europian do hapen brenda 2019
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla nga foltorja e Parlamentit deklaroi se sot është një ditë e gëzueshme për të gjithë shqiptarët, sepse pikë së pari merita për vendimin e djeshëm të Komisionit Evropian i takon shqiptarëve të thjeshtë dhe të ndershëm që mbështesin rrugën evropiane të Shqipërisë.
Sipas Ballës, Komisioni Evropian dha për shqiptarët dhe për Maqedoninë e Veriut verdiktin e merituar duke ri-konfirmuar rekomandimin pa kushte për fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
“Shpreh bindjen se Shqipëria brenda vitit 2019 do të hapë negociatat me Bashkimin Evropian. Këtë e them pavarësisht veprimtarisë politike të opozitës rrugore dhe veprimtarisë së saj politike që shkon në kah të kundërt me integrimin evropian dhe kërkesave të saj.
Brenda këtij viti ne do të jemi krenarë, që vota e shqiptarëve na ka sjellë këtu në kohën kur Shqipëria filloi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të mbahet mend për hapjen e bisedimeve dhe siç e thekson raporti, për përpjekjet e opozitës rrugore, që me çdo kusht u mundua të minonte përpjekjet e shqiptarëve në rrugën e tyre evropiane.
Megjithatë, fatmirësisht për ne, por fatkeqësisht për opozitën, e cila zgjodhi rrugën e jo parlamentin dhe institucionet, progres-raporti është një raport objektiv i bazuar tërësisht në një metodologji vlerësimi objektive me shifra, me statistika dhe jo me fjalë boshe e retorikë rruge.
Komisioni vlerëson punën e institucioneve dhe inkurajon Kuvendin e Shqipërisë, qeverinë e më pas çdo institucion të shtetit shqiptar, të vazhdojë përpjekjet në rrugën e vështirë të reformave të thella e sidomos në drejtim të vijimit të implementimit të Reformës në Drejtësi”, ka thënë Balla.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



