Banka e Shqipërisë: Çmimet e banesave vijojnë rritjen galopante
Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po përjeton sërish rritje të forta të çmimeve, pavarësisht frenimit të lehtë në Tiranë. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, indeksi Fischer për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 shënoi rritje me 14.6% në rang vendi krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë çmimet janë rritur me plot 41.7%.
Në kryeqytet, ritmi i rritjes ishte më i moderuar: 5.1% më shumë se gjashtëmujori i kaluar dhe 32.6% më shumë se një vit më parë. Sipas raportit, zonat bregdetare kanë dhënë efektin kryesor në rritjen e përgjithshme të çmimeve, ndërkohë që edhe qiratë janë shtrenjtuar, ndonëse Banka Qendrore nuk jep shifra zyrtare për këtë treg. Agjentët imobiliarë raportojnë se kërkesa për banesa me qira në Tiranë është rritur krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm.
Treg i gjallë, pritshmëri pozitive
Agjentët e pasurive të paluajtshme shprehen përgjithësisht optimistë si në afatin e shkurtër, ashtu edhe në atë afatgjatë. Balanca neto e përgjigjeve mbi situatën e tregut është +6%, me tone dukshëm më pozitive në kryeqytet. Për subjektet që kanë raportuar shitje, ky tregues ka arritur deri në +21%.
Edhe numri i banesave të reja të regjistruara ka shfaqur një përmirësim të lehtë, ndërsa stoku i pronave të pashitura vazhdon të bjerë, si për banesa ashtu edhe për godinat tregtare. Megjithatë, koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi është rritur në 11.6 muaj, nga 9.3 muaj më parë. Rritja vjen kryesisht nga Tirana dhe zonat jashtë bregdetit. Në kryeqytet, koha e shitjes u rrit nga 7.1 në 11.1 muaj, ndërsa në zonat bregdetare ajo ra nga 10 në 8.7 muaj.
Kredia bankare, motori i blerjeve
Shumica e transaksioneve vazhdojnë të mbështeten në kredi bankare: 58% e pronave të shitura janë blerë me hua, ku në 62% të rasteve kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës. Interesi i blerësve të huaj mbetet i lartë: 15% e banesave të shitura në gjashtëmujorin e parë 2025 u blenë nga jorezidentë, ku 71% janë shtetas të BE-së.
Për Bankën e Shqipërisë, kjo tendencë e rritjes së kërkesës nga blerës të huaj dhe e çmimeve në përgjithësi është në rritje prej pesë vitesh, duke nxitur pritshmëri pozitive edhe për dy vitet në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


