E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Banorët e Mirditës bllokojnë rrugën Rrëshen-Burrel: “Nuk kalon askush pa zgjidhje”
Lajme

Banorët e Mirditës bllokojnë rrugën Rrëshen-Burrel: “Nuk kalon askush pa zgjidhje”

 

Banorët e 10 fshatrave të Bashkisë së Mirditës kanë përshkallëzuar sot protestën e tyre, duke bllokuar aksin rrugor Rrëshen-Burrel, një rrugë nacionale që prej kohësh është kthyer në një problem të madh për qarkullimin e qytetarëve.

Protesta, e cila nisi herët në mëngjesin e së premtes, u organizua për të kërkuar ndërhyrjen urgjente të qeverisë për rehabilitimin e këtij aksi të degraduar, i cili sipas banorëve, është bërë thuajse i pakalueshëm. Qindra qytetarë morën pjesë në bllokimin e rrugës, duke u zotuar se nuk do të largohen deri sa të marrin një përgjigje konkrete nga institucionet.

Deklaratat e banorëve

Një nga protestuesit theksoi se rruga është një katastrofë infrastrukturore që i ka vështirësuar jetën çdo banori në zonë:

“Ne kërkojmë që rruga të riparohet dhe të shtrohet me asfalt. Nuk ndodh as në Afrikë një situatë e tillë. Gomat e makinave na janë çarë, kalamajt mezi i çojmë në shkolla dhe spitale. Taksa i kemi paguar, kërkojmë shërbimin tonë!”

Një tjetër qytetar, pronar biznesi në zonë, shprehu zhgënjimin e tij për situatën e krijuar:

“Dy vite që kam hapur biznesin, dhe kjo rrugë është përvoja më e keqe që kam përjetuar. Na kanë mashtruar shumë herë. Nëse nuk na dëgjojnë, do e bllokojmë fare këtë rrugë, askush nuk do kalojë!”

Prania e policisë

Policia ka qenë e pranishme në vendngjarje për të monitoruar situatën, duke tentuar të shmangë përshkallëzimin e tensioneve. Megjithatë, banorët kanë qenë të vendosur në qëndrimet e tyre, duke theksuar se nuk do të largohen pa një angazhim konkret për ndërhyrjen në rrugë.

Një problem që po zvarritet prej kohësh

Degradimi i rrugës Rrëshen-Burrel nuk është një çështje e re. Banorët e zonës kanë protestuar edhe më parë, duke kërkuar mirëmbajtjen dhe asfaltimin e aksit, por deri tani nuk ka pasur asnjë veprim konkret nga autoritetet.

“Na trajtojnë si qytetarë të dorës së dytë,” thotë një tjetër protestues. “Kjo rrugë na ka izoluar nga pjesa tjetër e vendit dhe po na shkatërron jetën. Nuk do të dorëzohemi pa e zgjidhur këtë problem!”

Kërkesat e banorëve

Protestuesit i kanë drejtuar një apel qeverisë për të marrë masa të menjëhershme:

•Rehabilitimi i plotë i rrugës Rrëshen-Burrel.

•Mirëmbajtja e përhershme për të shmangur degradimin e mëtejshëm.

•Përgjigje konkrete nga institucionet për zbatimin e projekteve infrastrukturore në zonë.

Nëse nuk merren masa, banorët kanë paralajmëruar bllokime të tjera dhe protesta më masive në ditët në vijim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.