Banorët në protestë: Pas 30 vitesh mundim, na del Salillari pronar
“Po na marrin tokat që na i ka dhënë shteti.” Kështu shprehen dhjetëra banorë të zonës së Fierit, të cilët pretendojnë se po u cenohet prona në fshatin Boçovë. Bëhet fjalë për rreth 100 dynym tokë të përfituar sipas ligjit 7501, e cila për më shumë se një vit e gjysmë rezulton e regjistruar me certifikatë pronësie në emër të kompanisë “Bervi Construksion”.
Banorët akuzojnë gjithashtu se në këtë histori është e përfshirë edhe kompania “Salillari”, e cila dyshohet se po ndërton panele diellore në pjesë të tokave që ata i konsiderojnë të tyret. Sipas tyre, është e papranueshme që pas 30 vitesh sorollatje nëpër institucione për t’u pajisur me dokumente të pronësisë, të përballen sot me një mbivendosje të tillë të pasurisë.
Ata shprehen se toka është e vetmja burim të ardhurash për familjet e zonës dhe kërkojnë që autoritetet të ndërhyjnë për t’u rikthyer pronën që, siç thonë, u takon me ligj.
Nga ana tjetër, burime nga njësia administrative Levan bëjnë me dije se disa prej banorëve kanë depozituar zyrtarisht ankesat e tyre. Pas marrjes së denoncimeve, njësia i ka kërkuar firmës “Bervi Construksion” të paraqesë dokumentacionin që pretendon se zotëron, por deri tani kompania nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
Çështja vijon të mbetet e hapur, ndërsa banorët kërkojnë transparencë dhe verifikim të plotë të dokumenteve që kanë sjellë në këtë situatë të pazakontë të drejtave të pronësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



