Barca mund Elçe dhe kryeson e vetme La Liga-n
Barcelona ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në kampionat, duke mposhtur Elçen në transfertë me rezultatin 1–3, në një ndeshje ku katalanasit treguan efikasitet dhe qartësi në fazën ofensive.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick e nisi vrullshëm takimin dhe gjeti avantazhin që në minutën e 6. Talenti i ri Lamine Yamal realizoi pas një asisti spektakolar nga mesi i fushës i Dani Olmo. Ky ishte goli i 9-të sezonal në La Liga për Yamal, i cili numëron edhe 9 asistime në 17 paraqitje — një statistikë mbresëlënëse për moshën e tij.
Elçe reagoi në minutën e 29, kur Álvaro Rodríguez përfitoi nga një moment hutimi në mbrojtjen mike dhe barazoi me një goditje të saktë me të majtën.
Barcelona riktheu epërsinë në minutën e 40 pas një kundërsulmi model. Pas asistit të Frenkie de Jong, ishte Ferran Torres ai që dërgoi topin në rrjetë për 1–2. Në fundin e pjesës së parë, Torres pati edhe një mundësi të artë për golin e dytë personal, por nuk arriti të finalizonte.
Goli i tretë erdhi në minutën e 73. Marcus Rashford, i futur në fushë në fillim të pjesës së dytë në vend të Raphinha, realizoi pas një topi në zonë nga Yamal. Dalja e Raphinhës erdhi për shkak dëmtimi dhe mbetet për t’u parë shkalla e problemit fizik të brazilianit.
Me këtë sukses, Barcelona kryeson e vetme renditjen me 55 pikë, ndërsa Elçe mbetet në vendin e 14-të me 24 pikë, duke vijuar betejën për mbijetesë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



