VIDEO/ Pas 144 vite punë, përfundon kulla ikonike “Sagrada Familia”
Pas 144 vitesh nga hedhja e gurit të parë, pjesa e fundit e kullës qendrore të Sagrada Família është vendosur në majë, duke e çuar monumentin në lartësinë e tij përfundimtare. Segmenti i sipërm i kryqit katërkëndor prej çeliku dhe xhami, 17 metra i lartë, u instalua pas disa ditësh me erëra të forta, duke shënuar përmbylljen e kullës më të madhe, asaj kushtuar Jezu Krishtit.

Me 172.5 metra lartësi, bazilika e projektuar nga arkitekti katalanas Antoni Gaudí është tashmë ndërtesa më e lartë në Barcelona dhe kisha më e lartë në botë. Gaudí i kushtoi këtij projekti vitet e fundit të jetës së tij, duke e shndërruar atë në një vepër që sfidon kohën dhe teknologjinë.
Gjatë vendosjes së strukturës përfundimtare u ngritën flamujt e Katalonjës dhe të Vatikanit, ndërsa arkitekti kryesor i projektit, Jordi Faulí, e cilësoi momentin si “një ditë të jashtëzakonshme për të gjithë ata që kontribuuan në këtë arritje”.

Ceremonia zyrtare për përfundimin e kullës do të mbahet më 10 qershor, në përvjetorin e 100-të të ndarjes nga jeta të Gaudít, i cili vdiq në vitin 1926. Kjo datë vjen edhe 16 vite pas shugurimit të kishës nga Papa Benedikti XVI në vitin 2010. Megjithatë, kompleksi nuk konsiderohet ende i përfunduar: brenda një dekade pritet të realizohet edhe fasada madhështore jugore, e njohur si “Fasada e Lavdisë”.
Një ikonë që formëson horizontin
Edhe pse për shumë dekada u perceptua si një kantier i përhershëm ndërtimi, sot Sagrada Família është simboli më i njohur i Barcelonës, njësoj si Eiffel Tower për Parisin apo Empire State Building për Nju Jorkun. Breza të tërë artizanësh, gurgdhendësish dhe arkitektësh kanë punuar në këtë projekt, i cili financohet kryesisht nga të ardhurat e biletave të vizitorëve.
Shkrimtari britanik George Orwell dikur e quajti bazilikën “një nga ndërtesat më të shëmtuara në botë”, madje duke shprehur keqardhje që nuk ishte shkatërruar gjatë trazirave të shekullit XX. Në fakt, gjatë Luftës Civile Spanjolle, anarkistët dogjën planet dhe modelet origjinale prej gipsi të Gaudít, të cilat u rindërtuan më pas me përpikëri nga bashkëpunëtorët dhe pasuesit e tij.
Në fund të viteve 1970, arkitekti nga Zelanda e Re, Mark Burry, përdori programe kompjuterike të avancuara për të deshifruar dhe zbatuar me saktësi gjeometrinë komplekse të projektit, duke i dhënë ndërtimit një shtysë të re teknologjike.
Hapi i radhës: Fasada e “Lavdisë”
Tre artistë bashkëkohorë – Miquel Barceló, Cristina Iglesias dhe Javier Marín – janë ngarkuar me paraqitjen e propozimeve për Fasaden e Lavdisë, e cila pritet të përfundojë brenda rreth 10 vitesh.
Sot, Sagrada Família mbetet atraksioni turistik më i vizituar i qytetit, me rreth 5 milionë vizitorë çdo vit dhe të ardhura që arrijnë në afro 150 milionë euro në vit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave riinvestohet në vazhdimin e ndërtimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



