Bardhi akuza të rënda Ballukut: E përfshirë në afera korruptive, ka lidhje të forta me krimin e organizuar
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, do të jetë drejtues politik i qarkut të Fierit, dhe pritet që në këtë qark, nga radhët e PS-së, të jetë zv/kryeministrja, njëherësh me ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
I pyet nga media, për këtë përballje të mundshme me Ballukun në zgjedhjet e 2025, Bardhi hodhi akuza ndaj saj duke thënë se është një nga figurat me më shumë afera korruptive dhe se ka lidhje me krimin e organizuar.
Gazment Bardhi: Nuk e di se kush do jetë përballë meje nga PS në zgjedhje.
Por, nëse është Belinda Balluku, di të them se ajo është certifikuar në krye të organizatës kriminale që drejton vendin.
Është figurë e përfshirë në afera korruptive të qeverisë së Ramës, që ka lidhje me krimin e organizuar dhe ka ndikim të madh në dëmet që po iu bëhen qytetarëve shqiptarë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, u pyet për procesin e primareve në Partinë Demokratike.
Bardhi tha se primaret janë një proces për t’u vlerësuar, pasi vulosin meritokracinë, teksa zëri i anëtarësisë merr kuptim. Ai shtoi se gjatë primareve duhet pasur kujdes, që mos të krijohet destabilitet në parti.
Osman Stafa: Primaret, i shërbejnë Partisë Demokratike? E dëmtojnë, e hapin? Cili është mendimi juaj?
Gazment Bardhi: Padiskutim që një parti demokratike do të duhet të bazohet tek vota. Por, në çdo proces të brendshëm gare apo zgjedhje do të duhet të tregohet kujdes për të mos krijuar më shumë destabilitet në PD. Edhe për faktin se përgjatë këtyre 3 viteve ne kemi kaluar momente të vështira të debateve tona të brendshme në PD. Ky duhet të jetë momenti kur nga një periudhë destabiliteti, partia kalon në një periudhë stabiliteti.
Në parim, është absolutisht vlerë për Partinë Demokratike që në proceset e veta të brendshme udhëhiqet nga vota e anëtarëve të partisë, por kjo do të duhet të bëhet me shumë kujdes, me rregulla strikte të funksionimit të saj, që mos të sjellë pasoja negative për Partinë Demokratike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



