Debat i ashpër në Kuvend për grumbullimin e simpatizantëve të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Deputeti Gazment Bardhi akuzoi se administrata e Bashkisë është urdhëruar të bëjë presion ndaj institucioneve të drejtësisë, ndërsa ministri Ervin Hoxha mohoi pretendimet, duke theksuar se nuk ka pasur protestë apo incidente.
Bardhi: Administrata e Bashkisë u përdor për presion ndaj drejtësisë
Sipas Bardhit, mbështetësit e Veliajt kanë bllokuar makinën e policisë që transportonte një të akuzuar për korrupsion. Ai e cilësoi këtë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të drejtësisë.
“Pjesëmarrësit dje kanë penguar makinën e policisë që të dilte nga GJKKO. U urdhërua administrata e Bashkisë që të ushtrohet presion ndaj institucioneve të drejtësisë. Ata njerëz paguhen për t’ju shërbyer qytetarëve dhe jo të shkojnë aty për të bërë presion ndaj drejtësisë,” tha Bardhi.
Hoxha: Nuk ishte protestë, nuk ka pasur incidente
Në kundërpërgjigje, ministri Ervin Hoxha theksoi se nuk ka pasur protestë të organizuar, por vetëm një grumbullim të simpatizantëve të Veliajt.
“Dashamirës të Bashkisë janë grumbulluar përpara GJKKO për të mbështetur kryetarin e Bashkisë. Nuk ka qenë një protestë e lajmëruar më parë. Simpatizantët kanë dashur të jenë prezent kur jepet gjykimi. Ka pasur prezencë policore në vendngjarje dhe nuk ka pasur asnjë incident,” tha ministri