Bardhi nuk mohon takimin për negociata me Bledi Çuçin
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nuk ka mohuar takimet apo negociatat me mazhorancën për krizën parlamentare.
Sa i përket një takimi kokë më kokë me Çuçin, lajm që qarkulloi nga mediat e Rilindjes, Bardhi as nuk e ka pohuar, as nuk e ka mohuar.
Gjatë fjalës së tij në emisionin “Opinion” ai u shpreh se opozita është gjithmonë në dialog me mazhorancën, por duke respektuar Kushtetutën.
“Nuk ka asgjë sekrete në qëndrimin e PD-së që nga dita e parë që vullneti ynë ka qenë për një parlament që funksionon. Kemi qenë për dialog me mazhorancën, por me një kusht që është respektimi i Kushtetutës. A po negocioj me organet brenda parlamentit për funksionimin normal të tyre? E kam bërë nga dita e parë dhe do të vazhdoj ta bëj. Nuk ka kulisa. Nuk ka kulisa mbrapa. Beteja që po bëjmë ne është betejë për të drejtat e opozitës. Është betejë për komisionet hetimore dhe jo që të marrim ne ndonjë gjë. Janë të drejta kushtetuese të opozitës që opozita po lufton për t’i fituar. Është në vullnetin e mazhorancës që të respektojë të drejtat e opozitës”, tha Bardhi në “Opinion”.
Theksojmë se paraditen e së premtes, mediat pranë qeverisë raportuan se është zhvilluar një takim kokë më kokë mes Bardhit dhe Çuçit, ku nuk kanë munguar as dakordësimet mes tyre për komisionet parlamentare.
Këto informacione nuk janë të konfirmuara dhe duket si një lajm i mediave të propagandës dhe Rilindjes
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



