Bardhi: Reforma në drejtësi vdiq sot. Ndërkombëtarët të mos heshtin duke mbështetur grisjen e vendimeve të GJK

Pas vendimit skandaloz të mazhorancës së Edi Ramës për të mos dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës, ka ardhur reagimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Gjatë komunikimit për mediat, Bardhi tha se sot ka vdekur reforma në drejtësi. Bardhi u kë bërë thirrje edhe ndërkombëtarëve që kanë mbështetur zbatimin e reformës në drejtësi, që të mos heshtin më, sepse në këtë mënyrë mbështesin grisjen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

‘Çdo qytetar shqiptar që ka besuar dhe mbështetur reformën në drejtësi, sot e provoi raportin e Edi Ramës me reformën në Drejtësi.

Çdo vendim gjykate, përfshirë gjykatën supreme apo atë Kushtetuese, që cenon interesin personal të Edi Ramës apo të një bashkëpunëtori të tij, nuk ka asnjë vlerë. Griset në sytë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, dhe hidhet në kosh nëse rrezikon interesin e tij, apo në rastin konkret të tij dhe Olta Xhaçkës.

Unë nuk pres nga Rama, e kam ditur shumë mirë raportin që ai ka me drejtësinë dhe me zbatimin e parimeve të shtetit ligjor. Apeli im vazhdon të jetë për partnerët tanë ndërkombëtarë, që kanë nxitur zbatimin e reformës në drejtësi.

Heshtja do të thotë të mbështesësh grisjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Heshtja do të thotë se, mesazhi mafioz që Rama i përcolli sot SPAK-ut që nuk mund ta prekë Olta Xhaçkën, sepse njëlloj siç u soll me Gjykatën Kushtetuese, do të sillet nesër me çdo vendim të prokurorisë së Posaçme apo gjykatës antikorrupsion, nëse ata marrin vendime kundër Olta Xhaçkës.

Nuk zbaton vendimin e Kushtetueses, nuk zbaton as vendimin e gjykatës së posaçme.

Në ditën e vdekjes së diktatorit, këta sot vdiqën kushtetueshmërinë në vend dhe reformën në drejtësi.

Është një ditë e zezë për Shqipërinë, parlamentin. Asnjë qytetar nuk ka më besim.

Ne si grup do të duhet të marrim një vendim nëse duhet apo jo ti drejtohemi më Gjykatës Kushtetuese.

Sepse nëse Kushtetuesesja merr një vendim dhe zbatimi i këtij vendimi është në dorë të mazhorancës, ka humbur kuptimin vetë ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese.

Unë nga sot nuk e kuptoj se pse do paguhen gjyqtarët. Nëse vendimet e tyre nuk zbatohen, ata e marrin rrogën kot’, tha gjatë deklaratës së tij për mediat, Gazment Bardhi.

Publikuar nga Publik Media