E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Basha i keqardhur për Berishën: E këshilluan gabim, prandaj përfundoi në arrest shtëpie
Lajme

Basha i keqardhur për Berishën: E këshilluan gabim, prandaj përfundoi në arrest shtëpie

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë se PD nën drejtimin e Sali Berishës ka patur shumë arritje pozitive, teksa theksoi se ai përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së PD.

Megjithatë Basha tha se rruga që ka zgjedhur Berisha i dëmtoi interesat e partisë.

“Kam një qëndrim konstant për Berishën. Ka pasur përgjegjësinë dhe privilegjin të drejtojë PD për një kohë të gjatë. Ka arritur shumë gjëra të mira me PD për Shqipërinë. Nuk ndryshoj asgjë nga ato që kam thënë. Sigurisht kam dhënë kontributin tim, që më shumë se askush tjetër e ka vlerësuar vetë Berisha edhe publikisht. Rruga që zgjodhi Berisha dëmtoi interesat e PD. Rruga që unë i propozova, nëse do të ishte ndjekur, do të ishim në një gjendje shumë më të mirë”, ka thënë Basha.

Sa i takon masës së arrestit shtëpiak ndaj tij, Basha u shpreh se në rrafshin personal “nuk i vjen mirë” ta shohë Berishën në atë pozitë, por nënvizoi se në rrafshin procedural personi që e ka këshilluar ish-kryeministrin të mos paraqitet në SPAK ka bërë një gabim trashanik duke rezultuar në arrestimin e tij.

“Në rrafshin personal nuk më vjen fare mirë ta shoh në këtë pozitë. Në rrafshin procedural, ai që e ka këshilluar të mos paraqitet, ka bërë një gabim trashanik. Ne si politikanë kemi detyrë të japim mbështetje pa kushte për drejtësinë, dhe ajo duhet të tregojë seriozitet në raste si këto, jo të trajtojë dikë mbi ligjin. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë publike, duhet të tregojë seriozitet të veçantë”, tha Basha në News 24.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka folur për situatën aktuale të opozitës si dhe përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Basha tha se do të nisë së shpejti evidentimi i kandidatëve për deputetë. Ai shtoi se PD brenda majit Partia Demokratike zyrtare do organizojë një Kuvend programor.

“PD do të nisë evidentimin e kandidatëve për deputetë. Brenda majit do organizojmë një Kuvend programor, ku do të shpalosim programin politik dhe qeverisës të PD-së”, u shpreh Basha.

I pyetur në lidhje me ndarjen mes demokratëve, Basha u shpreh se ka një Parti Demokratike dhe një pjesë që iu mbivendos interesave të demokratëve për një axhendë personale, duke iu referuar Rithemelimit.

Ai u shpreh se nuk mund të ketë bashkime mekanike, por bashkimi me PD ndodh përmes parimeve si reforma zgjedhore, qëndrimi ndaj drejtësisë dhe partneriteti me Perëndimin.

“Kemi një PD dhe një pjesë që iu mbivendos interesave të demokratëve për një axhendë personale. Dalja nga kjo situatë ndodh duke bashkuar forcat rreth interesit publik dhe atij të demokratëve. Nuk bëhet fjalë për bashkime mekanike. Bashkimi i PD bëhet përmes parimeve, reforma zgjedhore, qëndrimi ndaj drejtësisë dhe partneriteti me Perëndimin. Këtu jemi të hapur”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.