Basha ironizon Bardhin për mandatin e Xhaçkës: Po pastaj ku do ta çojë tek “Daja Ceni”?

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha ka dalë kundër Gazment Bardhit, i cili sot do të dorëzojë  sërish në Gjykatë Kushtetuese padinë për mandatin e Olta Xhaçkës.

Në një konferencë me gazetarët, Basha tha se Gjykata Kushtetuese ka folur njëherë dhe mbi vendimet e saj nuk mund të jetë askush.

“As nuk kemi ndaluar as nuk kemi lejuar askënd. Është bindja totale e PD se kthimi në GJK është një tjetër lehtësim që i bëhet Edi Ramës në një akt të paprecedent në 34 vite. GJK ka folur, kur GJK flet parlamenti bindet.

Hierarkia në këtë vend fillon nga GJK, askush nuk është mbi GJK përveç gjykatës  evropiane të drejtave të njeriut.

Kur GJK flet të gjithë binden. Me aktin e mos votimit të konfliktit të interesit që çon në humbjen e mandatit të Olta Xhackës, Rama ka futur vendin në krizë kushtetuese.

Në vend që kjo të thuhet qartë dhe të kërkohen rrugët politike, të përgjigjes ndaj këtij akti, patinohet kjo, po pastaj ku do ta çosh tek “daja ceni”? Ku do e çosh pastaj?

Është një akt plaçidimi, qetësimi. Është një akt i papërgjegjshëm politikisht.

Këtu ka dy gjëra, e para është rasti konkret i Olta Xhacka

Akti i dytë precedenti që ka vendosur Edi Rama, për herë të parë në 34 vite, As në kohën më të nxehtë të krizave politike, nuk ka ndodhur që një instancë tjetër ti thotë jo GJK

Është krizë kushtetuese. Nëse kësaj krize kushtetuese nuk do ti ishte paraprirë me një tjetër paralizë kushtetuese sic ishte zhveshja e presidentit nga kompetencat më 2008, ky është shkak që presidenti të shpërndarje parlamentin. Parlamenti ka kryer një krim kushtetuese”

Basha tha se është Ilir Meta ai që solli dhe e mbajti Ramën në pushtet, e tani del si ‘supermen’ duke protestuar kundër korrupsionit në Bashki, ndërkohë që njerëz të tij kanë firmosur për rritje tarifash.

“Nuk mund të bëhet protestë para Bashkisë me Ilir Metën, njerëzit e Metës kanë firmosur rritje tarifash aty. Meta solli Ramën në pushtet në 2013, e mbajti në 2017. Tani ma nxjerr si supremen, dhe më thua pse s’je në protestë. Faqe e zezë. Ti vënë gishtin kokës ata që për interesa personale i vunë minat opozitarizmit.

Që të thërrasësh protestë kundër korrupsionit, e të vësh në ballë Metën, a ka njeri që nuk e kupton që ky është autogol. PD duhet të distancohet nga njerëz që janë autorët e ardhjes në pushet të Ramës”, tha Basha gjatë fjalës së tij.

Ai u shpreh gjithashtu se Ilir Meta nuk ekziston më si faktor politik, teksa e ka akuzuar si nxitës të djegieve të mandateve në vitin 2019.

“Ilir Meta ka qenë nxitës i djegies së mandateve, njësoj si të tjerët. Disa të tjerë si Ilir Meta hedhin gurin e fshehin dorën, këtë bëri pas 21 Janarit pastaj shkoi u puth me Ramën në Shkodër”, u shpreh Basha.

Publikuar nga Publik Media