Basha: Jemi në një mendje me të gjithë aleatet tanë, Intervistat gazetareske janë gjë tjetër
Kreu i PD-së, Lulzim Basha komentoi edhe deklaratat e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, e cila artikuloi se është e gatshme të hyjë në zgjedhje edhe me Edi Ramën kryeministër.
I ftuar në emisionin “Kjo javë”, Basha solli në vëmendje dokumentin e firmosur me aleatët rreth 7 muaj më parë, dhe theksoi se prej tyre nuk ka asnjë kërkesë tjetër përveç qëndrimit në unision që opozita e bashkuar ka vendosur.
“Intervistat gazetareske janë një gjë, qëndrimet politike janë një gjë tjetër. Nuk kam pasur asnjë kërkesë nga asnjë aleat që ne të rishikojmë qëndrimin tonë politik. Dhe sot qëndrimi ynë politik ka avancuar më tej me propozimin që kemi bërë për reformën zgjedhore.”- tha Basha.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Zoti Basha do t’ju drejtoj një pyetje, por ju lutem një përgjigje shumë të drejtëpërdrejtë, sepse është në fakt ajo që të gjithë edhe kuriozohen: Është kryetarja e LSI, zonja Kryemadhi, e cila artikulon qartë se “nuk e ka problem dialogun apo zgjedhjet me Edi Ramën kryeministër”, ndërkohë që për ju ky vazhdon të jetë, apo jo, kushti i panegociueshëm se “nuk shkohet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. A hyn zoti Lulzim Basha në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër?
Lulzim Basha: Detyra ime si kryetar i opozitës të garantoj që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë dhe të pandikuar nga krimi i organizuar. Të pafrikësuar se nesër ata apo kushërinjtë apo familjarët e tyre mund të humbin vendet e punës, nëse nuk votojnë për partinë në pushtet. Që të arrijnë në qendrat e votimit pa i ndaluar policia me postblloqe, siç ndodhi, siç e dëgjoi gjithë bota, në zgjedhjet e 2016-ës. Që mediat të jenë të lira e të japin një raportim të balancuar, mos të jenë të kërcënuara, të blera apo të shantazhuara nga kryeministri. Opozita e bashkuar ka një platformë për ta arritur këtë dhe pjesë e kësaj padyshim është vullneti politik. Ne kemi propozuar një zgjidhje, një qeveri tranzitore që garanton zbatimin e rregullave ekzistuese dhe çfarëdo rregullash shtesë mund të nevojiten sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
Pyetje: Kjo qeveri tranzitore është pa Edi Ramën
Lulzim Basha: Pa diskutim. Ky është propozimi ynë. Ky është kontributi ynë për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pyetja shtrohet a ka një propozim tjetër? A ka një rrugë tjetër për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme? Nuk kemi dëgjuar asgjë, aq më pak bindëse, se ka edhe një rrugë tjetër për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Pyetje: Ju si kryetar i opozitës, si e lexoni Monika Kryemadhin, kur thotë që ulem me Ramën…?
Lulzim Basha: Nuk ka nevojë ta lexoj fare zonjën Kryemadhi dhe asnjë nga aleatët, sepse opozita e bashkuar ka një dokument politik të miratuar nga forumet më të larta, i cili përbën qëndrimin zyrtar të opozitës.
Pyetje: Pra nuk ka ndryshim nga ana e LSI-së?
Lulzim Basha: Siç jua ka konfirmuar edhe kryetarja e LSI, nuk ka asnjë ndryshim.
Pyetje: Po kjo është e artikuluar qartë se “ne shkojmë me Edi Ramën kryeministër…”?
Lulzim Basha: Edhe njëherë po ju them. Ka një dokument politik i cili përcakton rrugën se si shkohet drejt zgjdhjeve. Ky është propozimi ynë. A shkohet në zgjedhje, a ka garanci se një njeri që u provua 3 herë që vjedh votat edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë, që angazhon krimin edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë! Që kandidon persona me rekorde kriminale edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë! Që shtantazhon administratën edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë! A mund të garantojë një proces zgjedhor me rregullat ekzistuese apo të ndryshuara? Përgjigja e opozitës së bashkuar është: Jo. Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është pozicioni politik i opozitës.
Pyetje: A ka patur debate mes jush lidhur me këtë, për gjithmonë të artikuluarin kusht të panegociueshëm për të mos qënë Edi Rama kryeministër për të shkuar në zgjedhje të lira e të ndershme?
Lulzim Basha: Ky dokument është hartuar të paktën 7 apo 8 muaj më parë dhe përbën një qëndrim politik.
Pyetje: Po por ka ndryshuar gjuha…
Lulzim Basha: Jo. Intervistat gazetareske janë një gjë, qëndrimet politike janë një gjë tjetër. Nuk kam pasur asnjë kërkesë nga asnjë aleat që ne të rishikojmë qëndrimin tonë politik. Dhe sot qëndrimi ynë politik ka avancuar më tej me popozimin që kemi bërë për reformën zgjedhore.
Ndërsa ka komentuar raportin e Komisionit të Venecias, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se shqetësimi i Presidentit ka qenë zgjidhja e krizës.
Nga studio e “Kjo Javë”, Basha u shpreh se ata nuk mund të bien dakord me shumë prej pikëpamjeve të Presidentit, por theksoi se “shqetësimi i tij kryesor ishte të shmangte atë që po projektonte Edi Rama dhe bandat e interesuara në gjendje politike konflikti që ishte konflikti civil me pasoja të rënda për vendin”

Pjesë nga intervista:
Pyetje: Dua t’ju pyes pak edhe për presidentin, z.Meta, lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias është komentuar se presidenti nuk mund të shkarkohet. Nga ana tjetër maxhoranca thotë se janë legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit. Ju si e shihni këtë raport z.Basha?
Lulzim Basha: Është e qartë se zgjedhjet e 30 qershorit, votimet e 30 qershorit kanë rënë. OSBE/ODIHR –i është trupa përgjegjëse për gjykime të çdo procesi zgjedhor apo kuazi zgjedhor siç ishte ai i 30 qershorit. Që kanë rënë këtë e kupton çdo shqiptar; janë bërë pa konkurrencë, janë bërë pa dekret presidencial dhe edhe pse pa konkurrencë janë masakruar në çdo hap që nga përgatitja, tek pseudofushata, tek dita e votimit, tek numërimi apo masakra me numërimin e votave, gjithçka ishte një proces farsë. Pra, 30 qershori është një proces i rënë moralisht, politikisht, është i rënë nga ana kushtetuese. Ndërsa sa i përket rolit të presidentit, shqetësimi i presidentit prej fillimit ka qenë zgjidhja e krizës. Natyrisht, ne nuk mund të biem dakord me shumë prej pikëpamjeve të presidentit për sa i përket ngjarjeve dhe si janë zhvilluar këto ngjarje. Por nuk mund të mohoj për asnjë çast se shqetësimi i tij kryesor të shmangte atë që po projektonte Edi Rama dhe bandat e interesuara në gjendje politike konflikti që ishte konflikti civil me pasoja të rënda për vendin. Dhe këtu besoj se jo vetëm opozita dhe qytetarët, por edhe historia do ta vlerësojë vendimin e presidentit për të shmangur këto skenarë potencialisht gjakderdhje dhe vëllavrasje me njerëz që ishin të gatshëm që për hir të pushtetit të çonin në konfrontim me pasojë humbjen e jetës së dhjetëra, qindra qytetarëve. Jam i lumtur që si kryetar i opozitës kam marrë vendimin e duhur bashkë me popullin për të mos shkuar, për të mos rënë pre e këtij skenari dhune të përgatitur nga të njëjtat banda kriminale që përgatitën dhe ekzekutuan vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-ës apo masakrën elektorale të Dibrës. Dhe falë këtij qëndrimi sot kemi ndërgjegjësim të faktorit ndërkombëtar që për zgjidhjen e krizës shqiptare kemi dy realitete përballë njëri tjetrit; një qeveri të kapur disa herë duke vjedhur zgjedhjet me krimin e organizuar, duke bashkëpunuar me kriminelët, që nuk ndahet dot nga Dakot dhe nga Doshët, e nga Avdylajt, e një opozitë që ka qëndruar fuqimisht për parimet, vlerat, standardet europiane: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, shtet të së drejtës, që do të thotë barazi e qytetarëve para ligjit nga presidenti, kryeministri, te ministrat e tek qytetari më i thjeshtë dhe garantimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut që janë baza, janë themelet e një shoqërie të përparuar europiane. Nga ato shoqëri që unë kam patur fatin t’i njoh në rininë time, ku shqiptarët shpeshherë shkojnë edhe pa e ditur gjuhën por ja dalin të ndërtojnë jetën e tyre, të ndërtojnë jetën e fëmijëve të tyre, të shkëlqejnë, të bëhen shkencëtarë, artistë, këngëtarë. Pra, që provon se në qoftë se ne ndërtojmë këtë realitet në vendin tonë asgjë nuk na pengon ta lëmë pas këtë kohë të hidhur për Shqipërinë dhe ti japim këtij vendi të bukur dhe të bekuar nga Zoti të ardhmen europiane që meriton për veten e tij dhe për fëmijët shqiptarë.
Pyetje: Z. Basha një pyetje që lind natyrshëm, ndoshta edhe kuriozitet. Nëse do të ishte një prej kushteve të Bashkimit Europian një marrëveshje për të zgjidhur krizën, do të arrinte ta hidhte si hap Partia Demokratike?
Lulzim Basha: Nuk ka dyshim që zgjidhja e krizës kërkon vetëdijësim të të dyja palëve. Dhe kjo është arsyeja pse PD dhe opozita e bashkuar kanë hedhur një hap aktiv që nuk na takonte ne, i takonte qeverisë, se ajo është shkaktarja e krizës, i takonte kryeministrit, se ai është shkaktari për dështimin e katërt për moshapjen e negociatave. Por ne nuk mund të lëmë vendin, as shqiptarët peng të një njeriu që premton, dështon dhe pastaj mashtron dhe mundohet ta hedhë fajin diku tjetër. Prandaj kemi hedhur këtë hap, kemi këtë plan për daljen nga kriza që mishërohet edhe me 9 kushtet e Bundestagut. Kemi një propozim për reformën zgjedhore dhe tani është koha që t’i lëmë llafet dhe të fokusohemi jo për hir të partive tona apo për hir të karrigeve tona, por për hir të Shqipërisë, të vendosim Shqipërinë të parën, të vendosim shqiptarët të parët dhe t’i hapim rrugë zgjidhjes së krizës politike me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore në të njëjtën kohë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



