
Sa më shumë që afrohet shtatori kur dhe do të startojë qeveria “Rama2” aq më tepër shohin një ngutje të PD, madje zvarritje të saj në drejtim të kreut të mazhorancës Edi Rama. Me sa duket jo vetëm që nuk e kanë pritur mirë humbjen katastrofale por janë shumë të etur për të qënë në bashkëqeverisje me të majtën, sa dhe kur media e lë pas dore një opsion të tillë, është vetë Basha që përmes “zarave” të tij e ushqen përditë këtë variant. Duket se Bashës i ka shijuar shumë pjesmarrje në qeveri përmes ministrave teknikë dhe tashmë po përgatit një strategji për një bashkëqeverisje afatgjate me PS. Ndaj strategjia “ngriva, shkriva” me ministrat teknikë që herë deklarojnë dorëheqjen dhe pasi marrin urimin nga Rama për “suksese në jetë” ndryshojnë mendje duke deklaruar se do qëndrojnë deri në mandatimin e qeverisë së re, duket se këtë funksion.
Basha po tenton me të gjitha mënyrat për të qënë në bashkëqeverisje me Ramën, teksa ka nxjerrë dhe një ndër deputetët e tij, kryesuesin e listës për qarkun e Shkodrës Romeo Gurakuqi, që paraqet paketën e propozimeve prej 5 pikash ku të pesta pikat kanë një emërues të përbashkët: Bashkëqeverisjen PS-PD. Por të modifikuar, herë më Ramën kryeministër e herë pa Ramën kryeministër. Por brenda ka lutjen për të qënë bashkë në qeveri në këtë mandat katër vjeçar. Kështu, pas humbjes katastrofike në zgjedhjet e 25 qershorit, në vend të një analize për humbjen dhe mobilizimit për ringritjen e PD, zëra të veçantë në selinë blu të udhëzuar nga Basha kanë hedhur në diskutim tezat e një bashkëqeverisjeje me Ramën.
Ideja më e re është ajo e deputetit të Shkodrës, Romeo Gurakuqi. Pedagogu që bën pjesë te deputetët e rinj të PD-së, hodhi idenë e një bashkëqeverisje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Gurakuqi vendoste si kusht për këtë bashkëqeverisje largimin e Ramës si Kryeministër dhe drejtimin e qeverisë nga një figurë e shoqërisë civile afër PS me ministra të PD dhe PS. Ndonëse vihet re fare lehtë se opsioni i PD është mjaft të ketë bashkëqeverisje me PS, pavarësisht kush është kryeministër i vendit.
Vetë Basha, në fjalimet e tij në kohën kur ishte në çadër përballë Kryeministrisë dhe para zgjedhjeve të 25 qershorit e përmendi disa herë nevojën e një qeverie të tillë, si rrugëzgjidhje për të dalë nga situata e krizës. Për më tepër asokohe akuzonte se PS nuk i kishte votat për të qeverisur e vetme. Ndërkohë që sot Edi Rama ka minimalisht 74 mandate deputeti, mjaftueshëm për të qeverisur i vetëm pa aleanca.
Deri më tani Rama nuk ka dhënë asnjë sinjal se mund të ketë bashkëqeverisje me PD. Madje burime brenda mazhorancës saktësojnë se Rama e ka refuzuar një opsion të tillë, ndonëse këmbëngul që marrëveshja me PD do të vijojë dhe pas formatimit të qeverisë së re. Por marrëveshja do të jetë për reformat e mëdha, kryesisht ato integruese. Nuk përjashtohet dhe mundësia e lënies së një strukture të re nën drejtimin e PD, pra opozitës, për të qënë pjesë aktive e të gjitha hapave të Shqipërisë për integrimin në BE.


