Basha në Dibër: Rama nuk më do në krye të PD-së, duhet të vazhdojmë betejën
Në 25 prill Partia Demokratike u bë më e madhe sipas kryedemokratit Lulzim Basha.
Duke iu kërkuar rikonfirmimin anëtarëve të Partisë Demokratike në Dibër, për të drejtuar PD-në për herën e tretë, Basha deklaroi se kryeministri po tenton ta largojë nga ky mision.
“E vetmja gjë që ka në dorë është të na përçajë. Le ta themi troç, drejtpërdrejt, nuk do Edi Rama që ta vazhdojmë betejën e bashkë dhe nuk do që unë të jem në krye të kësaj beteje”, u shpreh Basha.
Në Dibër kryedemokrati foli dhe për ofertën e socialistëve për të vazhdar Reformën Zgjedhore.
“Po mundohet ta fshehë masakrën zgjedhore duke na shtrirë dorën për bashkëpunim, duke hedhur karremin që hajde të ndryshojmë ligjin zgjedhor, pasi ka bërë masakrën zgjedhore. Të komprometojë të vetmen forcë që ai e di jo vetëm e ka përballë, por që pavarësisht masakrës së 25 prillit jo vetëm që nuk u gjunjëzua, por doli më e fortë dhe më e bashkuar”, u shpreh më tej kryedemokrati.
Pavarësisht se për Dibrën nuk pati ankimime në KAS, sipas Bashës, prej këtij qarku nisi ndërtimi i makinerisë së masakrës zgjedhore në zgjedhjet e pjesshme lokale të 2016, dhe që u aplikua edhe më 25 prill.
“Ju e dini më mirë se çdokush se masakra zgjedhore e 25 prillit ishte produkt i një makinerie veprimi i së cilës nisi këtu në Dibër në shtatorin e vitit 2016, u shtri anë e mbanë vendit në qershorin e vitit 2017 dhe mori formën më të egër që ka njohur në 30 vite pluralizëm në masakrën zgjedhore të 25 prillit”, tha z. Basha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



