E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Basha: Rama po sakrifikon integrimin e vendit,  është “armik i popullit”
Publik News

Basha: Rama po sakrifikon integrimin e vendit, është “armik i popullit”

Madje, dje, për herë të parë, Basha e quajti kreun e qeverisë “armik të popullit”, pasi duke refuzuar rekomandimin e Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, që Parlamenti të presë opinionin e “Venecias” para se të shprehet në Parlament me votë, duke rrëzuar dekretin e Presidentit për Kodin Zgjedhor dhe të lërë në fuqi ndryshimet pa konsensusin e opozitës, pengon ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë. Sipas Bashës, Brukseli nuk mund të besojë një Kryeministër, i cili nuk garanton zgjedhje të lira e të ndershme.

“Armik i popullit shqiptar. Europa i thotë mos e kalo, se nuk të hap negociatat ndryshe, se nuk të pranoj unë ty në tavolinën e negociatave kur ashiqare don të shkelësh standardet minimale të zgjedhjeve. Por tmerri që ka nga zgjedhjet dhe nga ndëshkimi që do t’i vijë pas zgjedhjeve e ka shtyrë që t’i vërë shkelmin përsëri interesit kombëtar të shqiptarëve. Shkurt dhe qartë: Prej tmerrit që ka nga ndëshkimi dhe nga humbja e zgjedhjeve, po sakrifikon edhe një herë interesin e shqiptarëve për të ecur në procesin e integrimit europian”, tha Basha. Por, sipas kryedemokratit, kryetari i PS-së është kthyer tashmë në një pengues kronik të integrimit të Shqipërisë. Kreu demokrat risolli në vëmendje të qytetarëve disa nga rastet kur Kryeministri Rama, kur ishte në opozitë, ndërmerrte veprime për të mos u anëtarësuar në NATO, për të mos marrë statusin kandidat etj.

“Nuk është hera e parë. Ky njeri këtë ka bërë gjithmonë. Kur ishim gati për të marrë ftesën për në NATO, organizonte demonstrata kundër NATO-s. Kur ishim gati për të hequr vizat, e mbani mend apo jo, shkruante letra. Edi Rama shkruante letra në Bruksel: ‘po ju hoqët vizat shqiptarëve, do t’ju vijnë të gjithë azilantë’. E mbani mend apo jo?! Kur ishte puna për të marrë statusin kandidat, e bllokoi me 3 ligjet në Parlament. Dhe tani që kushti i vetëm është të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme për të hapur konferencën e parë ndërqeveritare, prapë prej frikës së tij nga humbja e zgjedhjeve po u mbyll shqiptarëve dyert e Europës. Armik i popullit shqiptar. Njësoj si me pandeminë, njësoj si me ekonominë, ashtu edhe me integrimin europian të vendit”, tha kryedemokrati.

PARTITË E REJA

Në konferencën e djeshme, kreu i PD-së foli edhe për zhvillimet në politikën e brendshme të Shqipërisë. Një ditë para se ishnënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, të shpallte lëvizjen e saj politike, me të cilën do të angazhohet për zgjedhjet e ardhshme dhe ndërkohë që z. Murrizi dhe znj. Hajdari po ashtu do të angazhohen në forca të reja politike, kryedemokrati u shpreh se ato janë parti që i hap kreu i PS-së, Edi Rama, pasi nuk ka shpresë që të fitojë më 25 prill të vitit të ardhshëm dhe kërkon të bëjë diversion. Ndërkohë, dy ditë më parë, Basha la të hapur derën, për ata të cilët kanë objektiv largimin e kësaj qeverie. “Nuk ka asnjë parti të dalë nga Partia Demokratike. Ka vetëm parti të krijuara nga Edi Rama, por prapë është i pashpresë. Kjo e tregon se sa i pashpresë është”, tha Basha.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.