E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Basha: Regjimi Rama-Doshi nuk do të ketë paqe asnjë çast
Publik News

Basha: Regjimi Rama-Doshi nuk do të ketë paqe asnjë çast

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me demokratët e Lezhës, ku në qendër të fjalës së tij ishin zgjedhjet e 25 prillit.

basha-lezhe
Takimi i Bashēs

Kryedemokrati Basha foli me emra konkret, që sipas tij kanë penguar vullnetin e zgjedhësve. Sipas tij, ndeshja nuk ka përfunduar në 25 prill dhe se beteja do të vazhdojë deri në fund.

Basha tha ndër të tjera, se “regjimi Rama-Doshi nuk do të ketë paqe asnjë çast derisa vala e ndryshimit që kemi ngritur së bashku ta përmbysë”

“Djali dhe dhëndri i Aqif Rakipit, po pse këta do ta ndalin Shqipërinë të ndryshojë?! Këta do t’i lëmë ne të na bllokojnë rrugën e ndryshimit që kemi nisur bashkë me shqiptarët? Këta do t’ja thyejnë kokën shqiptarëve? T’i marrin nderin, të ardhmen fëmijëve tanë, prindërve tanë. E tyre është Shqipëria? E tyre është Lezha?

I kam bërë llogaritë gabim edhe Pjerin Nderu, edhe Ndrec Deda, edhe Arben Ndoka, edhe Ardian Nikulaj, edhe ushtarët e tyre. Regjimi Rama-Doshi nuk do të ketë paqe asnjë çast derisa vala e ndryshimit që kemi ngritur së bashku ta përmbysë. Me të vërtetë ndeshja ndalon kur bëhet një faull, meqë i pëlqen shumë futbolli hajdutit të zgjedhjeve të 25 prillit, siç e dinë të gjithë tifozët e sportit këtu ndonëse unë nuk shquhem, ka kohë që nuk e ndjek dot aq sa dua, por e dimë që kur bëhet një faull nuk mbaron ndeshja. Jepet karton i kuq dhe gjuhet faulli apo penalltia.

Me 25 prill nuk ka mbaruar ndeshja. Shqiptarët po e ngrenë dhe do i ngrenë kartonët e kuq. Detyra jonë nuk ka mbaruar. Vala e shpresës për ndryshim nuk mund dhe nuk do të bjerë. As Edi Rama, as Tom Doshi, as Aqif Rakipi dhe as bandat e Durrësit, të Shijakut e të Krujës, të Fushë-Krujës, të Kurbinit e të Lezhës, të Shkodrës, askush tjetër nuk mund ta marrë peng këtë vend. Ne treguam se pa asnjë pushtet, të bërë njësh me qytetarët mund ta ngrinim valën e ndryshimit. Ata po bëjnë çdo përpjekje të na ulin kokën, të na dëshpërojnë, të na përçajnë. Po bëjnë gjithçka të çoroditin opinion publik për ta shitur vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në histori, si një fitore të tyre dhe si një humbje të Partisë Demokratike dhe të opozitës. Jo, 25 prilli është një humbje për Shqipërinë dhe shqiptarët, një humbje e përkohshme e shansit për ndryshim por çdo ditë, çdo javë e çdo muaj deri në rrëzimin e këtij regjimi beteja do të vazhdojë”, tha kreu i PD-së.

Në fjalën e tij, kryedemokrati the se PD është parti e hapur, por gjithashtu deklaroi se “në shtëpinë tonë të madhe nuk ka të tepërt”.

Basha tha se kush është i lodhur nga betejë e Partise Demokratike do te thote se ka hequr dorë nga Shqipëria. Ai theksoi theksoi gjithashtu se regjimi Rama-Doshi i ka ditët e numëruara.

“Natyrisht miqtë e mi, Partia Demokratike ka qenë dhe është një shtëpi e madhe ku gjithkush ka dhe do të ketë kontributet e veta, sakrificën dhe lirinë e vetë për shprehjen e mendimit, ka të mirat, gabimet dhe të këqijat e vetes dhe këtu fus këdo duke filluar nga vetja ime. Por në shtëpinë tonë të madhe nuk ka të tepërt. Ndaj, le t’i dëgjojmë, le t’i mirëpresim të gjithë kritikat konstruktivë, idetë dhe konceptet teksa bëhemi gati që mbi 680 mijë shqiptarë që na besuan në valën tonë të ndryshimit t’i udhëheqim në vazhdimin e kësaj beteje deri në fund.

Ju e keni patur dhe shumë shpejt do ta keni përsëri të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit tuaj me votë, por tani e gjithë vëmendja jonë duhet të jetë tek mobilizimi i çdo energjie të demokratëve, të mbështetësve tanë të atyre që na besuan pavarësisht nëse janë apo jo votues tanë për t’ia bërë të qartë regjimit Rama-Doshi se për ne ditët e tyre janë të numëruara. Ne nuk do të lëmë asnjë mjet pa përdorur, asnjë formë, asnjë mënyrë, asnjë  hapësirë pa çliruar energjinë e jashtëzakonshme dhe dëshirën e njerëzve për ndryshim.

Kush është i lodhur nga kjo betejë ka hequr dorë nga Shqipëria, ka hequr dorë nga demokracia, është kthyer vetvetiu në një skllav të Edi Ramës, Tom Doshit, Arben Ndokës me shokë. Kush është lodhur nga kjo betejë është dorëzuar dhe pranon që fatin e familjes së vet, fatin e fëmijëve të vet t’ia dorëzojë atyre të cilët në familjen tonë nuk do t’i qasnim kurrë. Përfundimi i kësaj beteje është i pashmangshëm dhe fundi i regjimit Rama-Doshi, është fitorja e Shqipërisë. Këtë betejë ne e nisëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk e nisëm për veten tonë”, tha Basha.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.