E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Basha të bëj detyrën e  kryeopozitarit dhe jo autokratin e fshehur
Publik News

Basha të bëj detyrën e kryeopozitarit dhe jo autokratin e fshehur

Në një shkrim Enton Abilekaj vëren kompleksin e Bashës  ndaj fushatës europianiste të Ramës  dhe i kërkon të bëjë detyrën që ka,opozitën e fortë dhe reale e pa komplekse. Vetëm ky do ishte ilaçi i fortë në këto momente për vendin tonë. Lexoni pjesë nga shkrimi në portalin “Syri.net”

Enton Abilekaj

Kompleksimi që Rama i bën fushatës së opozitës në Europë, në takimet bilaterale, është keqpërdorim i dëshirës dhe mosnjohjes që ka shumica e popullsisë për futjen e Shqipërisë ne Bashkimin Europian. Ndërsa mundohet të shfrytëzojë në maksimum faktin që shqiptarët janë populli më i orientuar drejt Perëndimit, Europë dhe SHBA, nxiton ta përdorë rekomandimin e KE për propagandë. Me një fjalim frymëmarrës që tenton t’u tregojë shqiptarëve se vendimi ishte historik që e shoqëroi me kërkesën që opozita të bëjë fushatë kuqezi nëpër Europë, Rama kërkon të marrë meritën e rekomandimit për vete dhe t’i lërë fajin e votimit të qershorit opozitës.

Opozita e ka pranuar sfidën, ka ulur kokën dhe po bën rolin që i ka caktuar Rama, duke pranuar se nuk është faji atij që i bën dëmet vendit, por i atij që i denoncon. Nuk është faji i maxhorancës që Reforma në Drejtësi është duke e humbur besueshmërinë për shkak të emërimeve dhe skualifikimeve të dyshimta, por i atij që e denoncon, nuk është faji i qeverisë për korrupsionin në të gjitha degët e saj, por i opozitës që e denoncon, nuk është faji i qeverisë për Raportin e Freedom House apo DASH, as për raportimet e mediave kryesore ndërkombëtare, por i atyre që I kanë denoncuar. Kështu Edi Rama, pasi i ka marrë në kontroll të gjitha pushtetet, Ekzekutiv, Legjislativ, Gjyqësor, madje edhe Mediatik, po ia arrin të mbyllë gojën e opozitës.

Ndërkohë që Rama nuk falte as historinë e trishtuar të Griseldës, që e shpërndau të tjetërsuar nëpër ambasada, opozita hyri në zgjedhjet e 25 qershorit, për të legjitimuar blerjen masive të votës, votoi pa kushte Vettingun, për t’i dhënë Ekzekutivit kontroll mbi gjyqësorin dhe në fund, hoqi dorë nga protestat për të lehtësuar represionin e një grupi njerëzish mbi të pambrojturit.

Ky angazhim i pakërkuar nga shqiptarët nuk po jep efekt tek vendet anëtare që nuk i referohen as opozitës së kompleksuar, as raportit të Komisionit Europian. Më gjithë vendimin politik të prezantuar në Strategjinë për Ballkanin Perëndimor në shkurt, vendet kryesore të Bashkimit Europian, hezitojnë të votojnë për Shqipërinë. Ata nuk janë kompleksuar nga përrallat e Rusisë dhe Turqisë që tregon Edi Rama për ta, as nga përralla e luftës së mundshme që tregon Junker për të justifikuar raportin që nuk përputhet me realitetin dhe bie ndesh me raportet që vijnë nga SHBA dhe nga vetë mediat serioze europiane.

Ndërkohë që rezultati i qershorit nuk është i sigurtë, Basha lobon me një formulë të pavërtetuar, që mundohet ta paraqesë si aksiomë. Integrimi në BE jo domosdoshmërisht do të përmirësonte demokracinë në vend, sic pretendon kryetari i opozitës. Serbia është para Shqipërisë, ka hapur negociatat dhe ka përfunduar disa kapituj, por demokracia po ecën mbrapa, ndërsa Vucic po merr gjithcka nën kontroll.

Mali i Zi është përpara Serbisë, por Gjukanovic kontrollon politikën dhe ekonominë, me një flamur fals perëndimor në dorë. Turqia i hapi negociatat në 2002, por Erdogan e shndërroi sistemin ne Autokraci. BE në asnjë rast nuk ka patur ndikim pozitiv. Raportet e KE-së që flasin për përmirësime nga viti në vit, nuk janë ilaçe për demokracinë, janë serume mbijetese për lëngatën e saj, kur aspirantët për despotë ia marrin frymën.

Në këto kushte, Lulzim Basha e ka më mirë të bëj detyrën në krye të opozitës dhe jo bishtin e fshehur të autokratit. Opozita e fortë ndoshta sjell më shumë demokraci se hapja e negociatave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.