Bashkia Tiranë përfiton 6 milionë euro në vit nga parkimet
Qytetarët në Tiranë përballen çdo ditë me një nga problemet më të mëdha, parkimin. Pavarësisht se bashkia thitë se po investon në sistemimin e parkimit, shumë qytetarë marrin gjoba për shkak se nuk gjejnë vend parkimi dhe parkojnë në vend që bashkia nuk u lejon. Por, përveç këtyre është bashkia ajo që përfiton nga parkimet me pagesë dhe gjobat që mbledh.
Vetëm për këtë vit parashikohet që të mblidhen nga parkimet të paktën 6 milionë euro.
Të dhënat e Bashkisë Tiranë, në projektbuxhetin 2024-2026, të publikuar së fundmi, parashikohet që të ardhurat nga ky shërbim të arrijnë në 602 milionë lekë, ose 6 milionë euro, me një rritje prej 12.5% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Që nga viti 2018 deri në 2022, banorët e Tiranës që kanë automjete, apo dhe të tjerë që vijnë nga rrethet kanë paguar rreth 22 milionë euro për të parkuar vetëm në parkimet e miratuara nga bashkia. Këtu nuk përfshihen shpenzimet në parkimet private, që sa vijnë e bëhen më të shtrenjta.
Në shumë zona të Tiranës, lënia e automjetit gjithë natën kushton tashmë 800-1000 lekë, ndërsa për një orë minimumi që paguhet është 200 lekë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



