Basir Çollaku: Dosjet dhe përgjimet po çojnë te familja e Ramës
Gazetari Basir Çollaku ka komentuar aksionin e zhvilluar sot nga SPAK, ku u zbatuan disa masa sigurie në lidhje me tendera që dyshohet se janë realizuar përmes procedurave abuzive në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSH).
Çollaku u shpreh se hetimet e SPAK tregojnë se aktiviteti i një grupi të strukturuar kriminal ka pasur qendrën e tij në Kryeministri. Sipas tij, kjo është një ngjarje e paralajmëruar prej kohësh, pasi problematikat që lidhen me AKSH-in janë të hershme dhe, siç tha ai, nisin që nga periudha e Arben Ahmetajt.
Çollaku e cilësoi operacionin e sotëm si një aksion real dhe të mirëfilltë, duke theksuar se, në aspektin ligjor, bëhet fjalë për veprime të një organizate kriminale me adresë të qartë institucionale. Ai shtoi se dosjet hetimore, sipas tij, çojnë drejt Kryeministrisë dhe se ky zhvillim përbën një “telash pozitiv” për opinionin publik.
Duke u ndalur te çështja e zv.kryeministres Belinda Balluku, Çollaku u shpreh se kjo dosje nuk mund të ndahet nga emri i kryeministrit, duke e quajtur atë “dosja Rama–Balluku”. Sipas tij, në këtë rast ka elementë të presionit, kërcënimit dhe përfshirjes së personave të afërt me familjen e kryeministrit. Ai përmendi gjithashtu akuzat zyrtare të SPAK, ku flitet për shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash, si dhe për përfshirjen e Policisë së Shtetit në disa dosje hetimore.
Çollaku ngriti pyetje në emisionin e drekës në News24, mbi zinxhirin e urdhrave dhe dijeninë për këto veprime, duke theksuar se zyrat e institucioneve të përfshira ndodhen në Kryeministri. Ai shtoi se nuk përjashton mundësinë që hetimet dhe përgjimet të shtrihen edhe më tej, deri në rrethin familjar të kryeministrit, me dialogje që mund të zbulojnë rrethana të reja.
Në fund, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ballukun, Çollaku deklaroi se ekziston ende një nivel që, sipas tij, SPAK nuk e ka prekur, ai i kryeministrit. Ai paralajmëroi se rikthimi i Ballukut në detyrë krijon hapësira për cenimin e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve. Sipas tij, deri më 22 janar, Balluku do të jetë në Kuvend dhe SPAK duhet t’i drejtohet këtij institucioni për heqjen e imunitetit dhe më pas për arrestim, duke shtuar se kryeministri, sipas vlerësimit të tij, po ushtron presion dhe vepron i frikësuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



