BE ashpërson masat, rregullat e reja prekin edhe Shqipërinë
Bashkimi Evropian ka aprovuar një paketë të re rregullash që i jep bllokut më shumë hapësirë manovrimi për të pezulluar me ritme më të shpejta udhëtimin pa viza për vendet e treta, kur këto të fundit paraqesin probleme të lidhura me migracionin, sigurinë ose mosrespektimin e standardeve evropiane.
Vendimi vjen në një moment me rritje të kërkesave për azil dhe presion të lartë politik në shumë shtete anëtare për forcimin e kontrolleve kufitare brenda Zonës Shengen.
Çfarë ndryshon me mekanizmin e ri të pezullimit?
Këshilli i BE-së ka finalizuar reformën e mekanizmit që rregullon aksesin pa viza të shtetasve nga vende jo-anëtare. Rregullat e reja e bëjnë procesin më të shpejtë dhe më fleksibël, duke ulur pragjet e reagimit dhe duke zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme arsyet që mund të çojnë në pezullimin e liberalizimit të vizave.
Ndryshimet zbatohen për të gjitha vendet jashtë BE-së, qytetarët e të cilave aktualisht mund të hyjnë në Shengen për qëndrime afatshkurtra pa vizë.
Sipas BE-së, synimi është rritja e kapacitetit për të reaguar “shpejt dhe fuqishëm” në rastet kur regjimi pa viza keqpërdoret ose nuk i shërben më interesave të bllokut.
Pragje më të ulëta, periudha më të gjata pezullimi
Reforma ul ndjeshëm kushtet që duhet të përmbushen për të nisur procesin e pezullimit:
-
Rritja e kërkesave për azil, tejkalimi i afateve të qëndrimit apo hyrjet e parregullta, që më parë duhej të shënonin rritje 50%, tani mjafton vetëm 30%.
-
Pezullimi fillestar mund të zgjasë deri në 12 muaj (nga 9 muaj që ishte më parë).
-
Nëse problemet vazhdojnë, BE mund ta shtyjë masën edhe 24 muaj të tjerë, duke zëvendësuar afatin e vjetër prej 18 muajsh.
Për herë të parë, pezullimi nuk duhet të aplikohet domosdoshmërisht për gjithë popullsinë e një vendi. BE-ja mund të vendosë kufizime vetëm për kategori të caktuara, si zyrtarë shtetërorë apo diplomatë.
Baza të reja për pezullimin e vizave
Lista e arsyeve që mund të çojnë në rishqyrtimin e statusit pa viza është zgjeruar ndjeshëm. Tani BE-ja mund të veprojë edhe në rastet kur një vend:
-
nuk harmonizohet me politikën e vizave të BE-së;
-
operon programe shtetësie për investitorët (“pasaporta të arta”);
-
përkeqëson marrëdhëniet me BE-në ose shkel rëndë të drejtat e njeriut;
-
përfshihet në praktika që BE i cilëson si kërcënime hibride ose që lidhen me dobësi të sigurisë së dokumenteve.
Qasja pa viza mund të ndalohet kur praktikat e një shteti konsiderohen në kundërshtim me vlerat ose interesat e BE-së.
Cilat vende mund të hyjnë në vëzhgim?
Edhe pse mekanizmi është zyrtarisht neutral, raporti i Komisionit Evropian për vitin 2024 ka identifikuar vendet ku rreziqet janë më të dukshme, kryesisht nga Ballkani Perëndimor dhe Partneriteti Lindor:
-
Shqipëria
-
Bosnje dhe Hercegovina
-
Mali i Zi
-
Maqedonia e Veriut
-
Serbia
-
Gjeorgjia
-
Moldavia
-
Ukraina
-
Kosova
Ndërsa të gjitha këto vende konsiderohen se përmbushin kriteret bazë, sfida të tilla si kërkesat e pabazuara për azil, qëndrimet e parregullta dhe mungesa e harmonizimit të politikave të vizave, vazhdojnë të jenë shqetësuese.
Për Gjeorgjinë, Komisioni ka theksuar nevojën për veprime të menjëhershme, sidomos për çështje të të drejtave të njeriut dhe kontrollet e vizave.
BE e ka përdorur një herë këtë mekanizëm më parë, kur pezulloi udhëtimin pa viza për Vanuatu-n në 2024 për shkak të skemës së pasaportave për investitorët.
Teknologjia e re kufitare do të ndryshojë mënyrën e udhëtimit
Reformat vijnë paralelisht me implementimin e dy sistemeve të reja:
-
EES – Sistemi i hyrje-daljeve, që do të regjistrojë automatikisht lëvizjet e udhëtarëve jo-BE dhe tejkalimet e lejeve të qëndrimit.
-
ETIAS – Autorizimi elektronik i udhëtimit, i cili do të kërkohet nga të gjithë udhëtarët që aktualisht hyjnë pa vizë.
Të dy këto sisteme do t’i japin BE-së të dhëna në kohë reale, të cilat do të përdoren edhe për të aktivizuar më shpejt mekanizmin e pezullimit.
Pse ndërhyri BE-ja?
Sipas analizave politike brenda unionit, rritja e presionit migrator, numri i lartë i kërkesave për azil dhe shqetësimet e sigurisë po ndikojnë fuqishëm në debatin evropian, duke detyruar BE-në të rishikojë politikat e hapjes dhe lëvizjes së lirë.
Rregullorja e re u jep vendeve anëtare mundësinë t’i kërkojnë Komisionit të nisë vlerësime të posaçme bazuar në të dhënat kufitare, një proces që tashmë do të jetë më i shpejtë dhe më i thjeshtuar për shkak të pragjeve të ulura statistikore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



