
‘Duke iu referuar lajmeve të komunikuara sot nga Ministri i Energjisë, Damian Giknuri, Shoqëria Hydro S.r.l. (Becchetti Energy Group) ka detyrimin të saktësojë se Vendimi i dhënë nga Gjykata e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) është një Vendim i pjesshëm për të cilin nuk është bërë asnjë cilësim vlere dhe për të cilën vetë Gjykata është e rezervuar.
Është me vend të qartësohet se ky Vendim i pjesshëm nuk ka marrë në shqyrtim provat e depozitura lidhur me shpronësimin e koncesionit sepse ato janë dorëzuar më vonë. Përkundrazi, Arbitrat ftuan Hydro-n për të filluar një arbitrazh të dytë.’, thekson kompania, duke vazhduar më tej:
‘Hydro, më 30 qershor 2017, njoftoi Qeverinë Shqiptare dhe Ministrinë e Energjitikës për kërkesën e dytë për Arbitrazh në të cilën nga Hydro ICC-së ju kërkua të konstatojë:
Keqbesimin kontraktor nga ana e Ministrit të Energjisë për krijimin e provave të rreme nëpërmjet agjencisë në varësi të tij, AKBN, lidhur me moskryerjen e pretenduar të punimeve të përgatitjes së materialit për trupin e digës në Kalivaç, siç u pranua më në fund me shkrim edhe nga vetë Qeveria dhe mbi të cilat u mbështet e gjithë çështja penale, veçanërisht kundër Francesco Becchettit.
Detyrimin e Ministrisë së Energjisë për të paguar kompensimin për shpronësim siç parashikohet në Marrëveshjen e Koncesionit.
Dëmet për të cilat Hydro pretendon shpërblim llogariten në qindra miliona euro. Seanca e parë në këtë arbitrazh u mbajt më 23 janar 2018.
Administratori i hidrocentralit, Ceccobelli deklaron: “Unë do të sugjeroja që, për të informuar publikun shqiptar në mënyrë transparente, Ministri Gjiknuri duhet të presë derisa të shpallet Vendimi përfundimtar i arbitrazhit dhe rezultatet e shumë çështjeve tjera që janë në zhvillim”.
Shqipëria ka fituar përballjen në arbitrazh me kompaninë ‘Hydro S.R.L.’ të Francesco Becchetti-i, për sa i përket hidrocentralit të Kalivaçit. Vendi ynë u padit në tetor të vitit 2014, në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (Arbitrazhi i ICC) nga shoqëria ‘Hydro S.R.L.’, ku u kërkua zgjidhja e marrëveshjes së koncesionit të lidhur midis palëve ndërgjyqëse për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç, për faj të Shqipërisë, dhe pagesa e një dëmshpërblimi në një vlerë prej 137.235.090 (njëqind e tridhjetë e shtatë million e dyqind e tridhjetë e pesë mijë e nëntëndhjetë Euro) si edhe e të gjithë kostove të paditësit dhe procesit të Shqipëria paraqiti kundërpadi në këtë proces, ku pretendoi se, pavarësisht nga mirëbesimi dhe vullneti i mirë që ka karakterizuar gjithmonë Shqipërinë në lidhje me zbatimin e këtij koncesioni, paditësi ka qenë në shkelje dhe mospërmbushje të kontratës së koncesionit, për fajin e tij, duke i shkaktuar në këtë mënyrë një dëm prej 158.000.000 (njëqind e pesëdhjetë e tetë million Euro).
Krahas pagesës së këtij dëmi, Shqipëria kërkoi edhe pagesën e kamat-vonesave për mospërmbushjen e kontratës deri në vlerën prej 12.900.000 (dymbëdhjetë million e nëntëqind mijë Euro) si edhe të kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit.
Trupa e gjykimit vendosi që të rrëzojë të gjithë pretendimet e paditësit, duke e ngarkuar këtë të fundit me faj për mospërmbushjen e kontratës dhe me pagesën e kamat-vonesave deri në vlerën e cituar më lart dhe të të gjithë kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit të pësuara nga i padituri, në një vlerë prej rreth 1.258.642 (një million e dyqind e pesëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e dyzetë e dy Euro).
Në një vendim të dytë, trupa e gjykimit do të vendosë vlerën e dëmshpërblimit që paditësi do të duhet t’i paguajë Shqipërisë për mospërmbushjen e kontratës së koncesionit për faj të tij, bashkë me të gjithë interesat dhe kostot e tjera të zbatueshme.



