Gjermani sulmon me thikë dy policë gjatë arrestimit në Malësinë e Madhe
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të shtune në Malësinë e Madhe, ku një shtetas gjerman ka sulmuar me thikë dy efektivë të Policisë së Shtetit gjatë ndërhyrjes për ndalimin e tij. Para përplasjes me uniformat blu, 47-vjeçari dyshohet se kishte hedhur benzinë mbi automjetin e një të riu 27-vjeçar.
Ngjarja është raportuar rreth orës 17:30, pasi një 27-vjeçar ka njoftuar Policinë se gjatë lëvizjes me makinën e tij nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër i kishte hedhur benzinë mbi mjetin e tij.
Sipas të dhënave paraprake, incidenti ka ndodhur pranë një karburanti, në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit të dyshuar dhe kanë arritur ta ndalojnë atë në fshatin Pjetroshan, në Malësinë e Madhe.
Në momentin e ndërhyrjes për neutralizimin e drejtuesit, situata ka marrë përmasa të rënda. Shtetasi gjerman, 47 vjeç, i identifikuar si Jan-Friedrich Krebs, ka kundërshtuar efektivët duke i goditur me thikë dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, të identifikuar me inicialet S. B. dhe I. S.
Dy efektivët e plagosur janë transportuar menjëherë në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, 47-vjeçari është neutralizuar nga shërbimet e Policisë dhe është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Malësisë së Madhe.
Grupi hetimor po vijon punën për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, për të përcaktuar rrethanat e sulmit dhe motivet që çuan në këtë episod të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



