Ben Blushi vjen me romanin e ri “Jam Mysliman”
Shkrimtari dhe publicisti i njohur Ben Blushi rikthehet para lexuesve me një roman të ri, intrigues dhe sfidues njëkohësisht, me titullin “Jam Mysliman”.
Në këtë vepër, Blushi sjell historinë e një shkrimtari që, pas një udhëtimi të ndërlikuar jetësor e shpirtëror, vendos të përqafojë Islamin. Nëpërmjet këtij rrugëtimi, autori ngre pyetje të thella mbi identitetin, besimin dhe kuptimin e përkatësisë në një botë ku kufijtë midis bindjeve shpesh janë të mjegullta.
“E di që shumë njerëz do habiten me titullin e romanit tim të ri, por nuk është kjo arsyeja pse e kam shkruar. Unë jam ateist, dhe fjalia Jam Mysliman duket sikur nuk shkon në gojën time. E megjithatë, mendoj se shkon.” – shkruan Blushi në parathënien e librit.
Romani përshkruan transformimin personal të një shkrimtari që, pas një sërë ngjarjesh të papritura dhe një vizite në Mekë, përballet me një ndryshim të thellë në mënyrën si e sheh jetën dhe fenë. Një incident me një grup fanatikësh e shtyn të deklarojë publikisht: “Jam Mysliman” – fjali që i jep edhe titullin romanit.
Autori thekson se libri duhet lexuar si letërsi, jo si manifest apo qëndrim personal ndaj fesë:
“Shpresoj shumë që romani të lexohet siç është, pra si letërsi dhe asgjë tjetër.”
Promovimi i romanit “Jam Mysliman” do të mbahet të hënën pasdite, ndërsa duke nisur nga e marta, libri do të jetë i disponueshëm në të gjitha libraritë si dhe në Panairin e Librit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



