E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Benet Beci ,një “kryeministër në hije” i Rames dorezon  “valixhen” e duhur…
Publik News

Benet Beci ,një “kryeministër në hije” i Rames dorezon “valixhen” e duhur…

Ishte surprizues fakti që edhe me fillimin e këtij viti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk u prek, siç u diskutua kohë më parë.

Përkundrazi! Themelet e këtij institucioni, më saktë, drejtorit të tij, vetëm sa po fuqizohen, pavarësisht planeve që kanë qeveritë që vijnë e ikin çdo katër vjet.

Çdo ditë që kalon, Benet Beci, thjesht fiton pushtet dhe, edhe këtë vit, jo vetëm që nuk bëhet fjalë të preket, por pushteti i tij është kthyer në absolut.

Ashtu në hije, siç ka punuar qysh në vitin 2005, kur u emërua Drejtor Ekzekutiv në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Beci ia ka gjetur anën çdo pushtetari.

Dhe kësaj here radhën e ka kryeministri Edi Rama, tek i cili Beci ka mbërritur nëpërmjet ministrit të tij të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Por si është e mundur kjo?

Natyrisht duke krijuar një pushtet financiar brenda vetë pushtetit, i cili të lejon ta mbash mirë me të gjithë, deri tek kryeministri, që tek e fundit nuk ka asnjë interes të prishë ekuilibra të ngritur dhe që funksionojnë për bukuri.

E pra në fakt kur Partia Socialiste erdhi në pushtet ideja ka qenë që Fondi Shqiptar i Zhvillimit të shkrihej. Jo menjëherë, por nëpërmjet një formule të menduar dhe studiuar, e cila do të zhvillohej natyrshëm pas reformës territoriale në Shqipëri.

Kjo reformë diktoi modelin e ndarjes së Shqipërisë në rajone dhe ngritjen e institucioneve të reja kombëtare dhe rajonale me detyrë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Modelet e diktuara dhe të marra nga Evropa e sillnin nevojën e shkrirjes së FSHZH në mënyrë organike, si institucion paralel që nuk ndihmonte në arritjen e objektivave të zhvillimit që qeveria kishte për të ardhmen.

Por atëherë hesapet u bënë pa hanxhinë. Sepse me sa duket qeveritarët – të rinj në atë kohë – nuk e kishin menduar se Beci do tu qëllonte një gozhdë kaq e fortë sa mund të thyente sharra edhe më të fuqishme se ajo e qeverisë Rama apo partnerët (sipas kohës së qeverisjes), së tij.

Reforma u bë. Ndarja territoriale gjithashtu. Por Beci mbajti edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit në punë, edhe vetë vazhdoi të ishte drejtor i tij, pa pikën e problemit.

Si ndodhi kjo? Sidomos në një institucion që lëvron miliona euro në vit! Në Shqipëri, dihet që kur ndërron pushteti nuk mban dot një post specialisti, imagjinoni më shumë se kaq…

Por kjo duket se nuk vlen për Benet Becin. Ai, duke u bërë pjesë e një skeme që e njeh mirë dhe që e ka praktikuar që në kohën e qeverisjes së Sali Berishës, jo vetëm që mbijetoi, por vazhdon të punojë i qetë dhe krejt i patrazuar.

Formula e Becit është e thjeshtë: jep e merr vetëm me shefat. Nuk ka nevojë të kalojë nëpër dyer të tjera, por drejt e në majë.

Kështu në kohën e Berishës, Beci lidhjet i kishte me kryeministrin hije të asaj qeverie, Argita Berishën.

Në atë kohë asgjë nuk lëvizte tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit pa miratimin e saj. Firmat fituese të tenderave, ndarja e llokmave të mëdha të buxheteve etj, miratoheshin vetëm pasi Argita të binte dakord paraprakisht.

Çka natyrisht e forcoi edhe pozitën e drejtorit, për të cilin duhet thënë se ka një intuitë fantastike për të mbajtur kahun e duhur, pa bujë dhe pa pikën e protagonizmit publik.

Kështu punoi ai përgjatë mandateve qeverisës të Berishës pa u trazuar nga askush. E vetmja gjë që mbahet mend prej asaj kohe është adhurimi me të cilin përmendej emri i tij prej njerëzish që e ëndërronin një post si i tiji: Benet Beci ishte kthyer gati-gati në një legjendë urbane, si njeriu që lëvronte miliona, shtronte rrugë të reja – të ngushta, por i shtronte ama–dhe nuk ndihej.

Pikërisht për këto arsye tetë vjet pas emërimit, kur pushteti u ndërrua, pritej që Benet Beci të kishte fatin e të tjerëve. Të largohej nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me shpresën që nuk i kishte shkelur dikujt në kallo e të mos i duhej të harxhonte një pjesë të fitimeve për të mbyllur dosje që mund të hapeshin qëllimisht.

Por të gjithë ata që aspironin t’i zinin vendin i kishin bërë llogaritë gabim.

Benet Beci i kishte marrë masat me kohë. Ende pa rënë pushteti i Berishës ai i kishte lidhur telat me një aleat të fortë të tij: Ilir Metën. Madje Beci hante me të dy krahët dhe kjo nuk ishte e vështirë.

Në një institucion si FSHZH nuk është e vështirë t’i lësh të gjithë të kënaqur. Këtë bëri edhe Drejtori Ekzekutiv prej shumë vitesh i FSHZH-së: iu dha të gjithëve nga një pjesë. Ose siç thuhet ndryshe korridoreve të institucionit që ai drejton, “iu çonte të gjithëve nga një valixhe”.

Benet Beci nuk është tamahqar dhe e ndan fitimin. Me bujari dhe dashuri. Kështu rrodhën katër vitet kur pushteti kishte dy timonë: Edi Ramën dhe Ilir Metën.

Ky i fundit e përkrahu me mish e me shpirt drejtorin, e mbajti stoik në detyrë dhe Drejtori, jo vetëm që nuk e zhgënjeu, por pati kohë që të afrohej edhe me timonin numër 2, Edi Ramën.

Vazhdonte apo jo aleanca, Beneti i kishte dhënë provat që kishte mjaftueshëm intuitë për të qenë në kohën e duhur dhe me partnerin e duhur.

Në këtë mënyrë nëpërmjet firmave të duhura dhe ministrave adeguatë, Beneti e mori pushtetin që duhej edhe tek Edi Rama. Për këtë arsye askush nuk priti më që me mandatin e dytë, FSHZH të trazohej. Sado plane të ishin bërë, sado strategji të hartonte qeveria, Beneti e ka çuar valixhen në vendin e duhur dhe vazhdon të jetë praktikisht i paprekshëm.

Një “kryeministër në hije” që nuk ka nevojë as për pushtet, as për propagandë e as për famë. Sepse lëvron aq shumë para sa e vetmja gjë që kërkon është ta lënë të qetë aty ku është. Dhe këtë e ka të garantuar për aq kohë sa valixhja – në madhësinë e duhur – shkon në destinacionin e duhur.

Se si përkrahet edhe praktikisht nga shteti Benet Beci do ua tregojmë njëherë tjetër…/Pamfleti.com

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.