Në një intervistë për Nisida Tufën në “Kjo Javë”, Berisha tha se zërat për marrëveshje i bënë vetë Rama, pasi sipas ish-kryeministrit një ditë thotë rash dakord me Metën e një ditë fola me Bashën.
“Personalisht them se këto i bën Edi Rama. Për të mashtruar njerëzit përreth, një ditë ju thotë se drekova me Metën dhe rash dakord për këto. Një ditë thotë fola në telefon me Bashën dhe rash dakord për këto.
Këto flasin për një panik që ai po e ndjen, Shqipëria po zien se ai ka krijuar një pakënaqësi të jashtëzakonshme në popullatë. Të jem i sinqertë, kjo duket dhe te socialistët e vërtetë. Po i rrëshqet toka në këmbë”, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha.
Berisha tha se viktimat në Shqipëri si pasojë e covid-19 janë fshehur. Ai tha se shumë persona kanë vdekur nga koronavirusi pa e ditur.
“Përveçse kufizoi maksimalisht testimit, kufizoi artificialisht numrin e të infektuarve në Shqipëri, ai filloi të manipulonte numrin e të vdekurve. 5 të sëmurë vdiqën në Shkodër, i shpallën për gjëra të tjera, po ashtu në Tiranë, po jap këto që kanë vdekur në spital, pasi janë dhjetëra raste të tjera të faktuara që e kanë marrë COVID në varr pa bërë asnjë analizë”,- tha ai.



