Berisha largon Salianjin si drejtues politik në Njësinë 6 në Tiranë
Kur duhen edhe tre ditë nga protesta e paralajmëruar e opozitës, e cila do të mbahet të hënën më 22 dhjetor, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vendosur të largojë Ervin Salianjin nga posti i drejtuesit politik në Njësinë Administrative Nr. 6 në Tiranë.
Vendimi vjen në një moment të ndjeshëm për opozitën, teksa strukturat lokale ndodhen në fazë intensive mobilizimi për protestën e radhës kundër qeverisë. Lëvizja e Berishës ka ngritur pikëpyetje brenda radhëve të PD-së, veçanërisht për ndikimin që mund të ketë në organizimin në terren.
Ervin Salianji ka qenë aktiv në këtë njësi, veçanërisht në zonën e Kombinatit, ku takimet e zhvilluara prej tij me strukturat dhe simpatizantët e Partisë Demokratike janë shoqëruar me pjesëmarrje të gjerë dhe një angazhim të dukshëm të të rinjve.
Deri më tani, nga selia blu nuk ka një sqarim zyrtar mbi arsyet e këtij vendimi, ndërsa pritet të shihet nëse ndryshimi do të ndikojë në mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar të opozitës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



