Berisha: Në SPAK gjeta Elvis Doçin duke dekoruar Altin Troplinin
Si president nderi të kartelit Troplini
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) se institucioni që supozohet të luftojë krimin e organizuar, po funksionon në realitet si aleat i tij.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi drejtues të lartë të SPAK-ut, përfshirë kreun e saj Altin Dumani, të cilin ai e ironizoi me emrin “Altin Troplini” për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kartelet e drogës që operojnë brenda dhe jashtë territorit shqiptar.
Berisha tha se gjatë qëndrimit të tij në institucion për shkak të masës “detyrim paraqitje”, gjeti aty Elvis Doçin, figurë që ai e përshkroi si të lidhur me botën e krimit, duke i vendosur në qafë një “pllakatë nderi” Altin Dumanit, në një akt simbolik që e shpallte atë president nderi të një karteli droge, për “shkallën më të lartë të bashkëpunimit dhe mbështetjes që i ka dhënë aktivitetit kriminal”.
Pjesë nga deklarata:
Sot unë lashë këtë shënim: Altin Troplini, se çfarë gjeta unë aty, aty ishte Elvis Doçi. Elvis Doçi, po i varte në qafë një pllakatë Altin Troplinit, në të cilën e shpallte president i nderit i kartelit Troplini për shkallën më të lartë të bashkëpunimit dhe mbështetjes që ai i dha këtij karteli.
Por shqiptarët duhet ta dinë se ky institucion, në të cilin pa diskutim ka njerëz të ndershëm, ka burra, gra, vajza dhe djem të ndershëm, por ka kriminelë më të poshtër, më të rrezikshëm se Troplinët, se Çelët dhe se shumë të tjerë.
Nga bilanci i një gazetari kurajoz, investigativ, del se bashkëpunëtorët e krimit në këtë institucion, si dëshmi e këtij bashkëpunimi, 250 urdhër arreste ndërkombëtare dhe kombëtare nuk janë ekzekutuar sepse si në rastin e Elvis Doçit, janë mbajtur, janë informuar krerët e karteleve dhe de facto asnjë prej tyre nuk është në burg në Shqipëri.Është një bashkëpunim i shkallës më të lartë me krimin.
Në qoftë se prokuroria e krimeve të rënda kishte një ekzekutim të mandateve të arrestit sipas statistikës së saktë, që shkonte në 85-90 përqind, Altin Troplini dhe pasardhësi i tij, ish-xhelati i policisë sekrete të Enver Hoxhës, kanë një ekzekutim që për bosët nuk shkon as në 10 përqind.
Dhe unë u bëj thirrje gazetarëve, që unë kam respekt për ta, që merren me informacionet e këtij institucioni, të mos bien viktimë e mashtrimeve dhe trillimeve të tyre.
Informuan se janë kapur 17 tonelata drogë.
Tani dëgjoni, dy javët e fundit, lajmet ndërkombëtare të vërtetuara janë se në duart e karteleve shqiptare të Çelajt dhe Ndreut apo atij Hoxhosmanit, kanë qarkulluar 34 tonë kokainë, e barabartë me 6.5 miliardë euro.
Asnjë gram nuk është kapur në Shqipëri dhe dezinformojnë, mashtrojnë se u kapën 17 tonelata.
Pra, pse e theksova këtë moment, e theksova se në qoftë se Altin Troplinin e dekoroi sot, aty po e dekoronte Elvis Doçi, e shpalli president nderi të kartelit Troplini pikërisht për këtë bashjëpunim kriminal të ngushtë që është vendosur mes personave të ngushtë këtu.
Nuk përjashtohet, një pjesë është edhe policia pa diskutim, por rastet janë flagrante, që akuzohen vetë këta prokurorë dhe kjo përbën një problem madhor për rendin dhe sigurinë, pasi unë u them ju që sot padrinot janë të lirë, janë në Xhafzotaj, jetojnë në një territor ku nuk futet policia dhe askush dhe vazhdojnë të qetë njësoj si Suel Çela, i cili në një kohë kur bënte terror në Elbasan për zgjedhjet, Altin Troplini dizinformonte të huajt se ai është në Dubai apo në dhera të tjera.
Jashtë ambjenteve të SPAK, ai akuzoi Këshillin e Lartë Gjyqësor, të drejtuar nga Naureda Llagami, për mbrojtjen e gjyqtares Irena Gjoka, ndonëse kjo e fundit është e përfshirë në tre vepra penale dhe e dënuar me burg nga një gjykatë greke, për një çështje që përfshin deklarim të rremë pasurie dhe mashtrim në procesin e vetingut.
Berisha përmendi një rast të cilësuar prej tij si “mashtrim trashanik”, ku Gjoka kishte justifikuar një pasuri të marrë në formë huaje në vitin 1996, duke iu referuar nenit 830 të Kodit Civil, i cili ka hyrë në fuqi vetëm në vitin 2015.
“Ky është një mashtrim për çdo njeri normal, përveç Altin Troplinit,” deklaroi Berisha, duke iu referuar sërish kreut të SPAK, Altin Dumani, të cilin e akuzoi se po mbron Gjokën në mënyrë aktive.
Pjesë nga deklarata:
Ndërkohë KLGJ e Llagamit mbron Irena Gjokën me tre vepra penale, e cila e ka vendin, ku është një shkelëse ordinere ligji, e cila është e dënueshme për mashtrimin që ka bërë në formularin e deklarimit të pasurive, ka mashtruar në veting për pasuritë e saj.
A mund të imagjinoni ju si e justifikuar Irena me 5 mbiemra pasurinë?
Në përputhje me nenin 830 të kodit civil, mora këtë hua nga ish-bashkëshortja e burrit tim. Mirëpo neni 830 është nen i vitit 2015. Huaja është marrë në vitin 1996.
Pra, para këtij mashtrimi trashanik, KLGJ në vend se të marrë vendimin menjëherë, nuk merr asnjë vendim, dhe e dënuar me burg, de facto ajo nuk është gjykatëse. De facto ajo është gjykatëse ekstraligjore. De facto dhe de jure asnjë vendim i saj nuk ka vlerë.
Ajo vazhdon dhe ka hapur çështje penale.
Ky Troplini që u dekorua sot nga Elvis Doçi ka hapur çështje penale pa emër për ta mbrojtur atë.
Po çfarë mungon aty kur dokumentet qartësojnë se ajo i është referuar nenit 830 të kodit civil të vitit 2015 për një kontratë të vitit 1996? Për të gjithë botën, përveç Altin Troplinit, ky është mashtrim.
Çfarë ka kur gjykata e Janinës, me vule apostile pohon se është e dënuar më 3 muaj burg, me emër dhe mbiemër Irena me 3 mbiemra dhe Altin Troplini thotë më duhen dokumente. Vula apostile për çdo njeri, përveçse për Altin Troplinin, është një dokument ligjor, zyrtar. Por do ta mbrojë me çdo kusht afërmendshi.
Do ta mbrojë se janë bashkëpunëtorë në krim.
Ky është një akt i turpshëm, kjo është fytyra e vërtetë e këtij sistemi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


