Berisha ‘plas bombën’: Agasi përgjoi ambasadat dhe diplomatët
Akuzat e rënda
Kreu i PD-së: Ka çuar sekretet e NATO-s në duart e armiqve
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza shumë të rënda në adresë të Ergys Agasit, duke deklaruar se ky i fundit ka organizuar përgjime të ambasadave dhe diplomatëve të huaj të akredituar në Shqipëri.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se Agasi ka shpërndarë informacione tepër të ndjeshme të NATO-s, të cilat i ishin besuar shtetit shqiptar, duke i kaluar ato, sipas tij, në duart e armiqve të aleancës. Sipas kreut të opozitës, këto veprime përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit.
Berisha shtoi se hetimet kanë zbuluar gjithashtu se të dhëna sekrete janë shpërndarë edhe te kartelet ndërkombëtare të drogës dhe organizatat kriminale, duke e përshkruar Agasin si një figurë qendrore në një rrjet kriminal të sofistikuar.
“Hetimi tregoi se Ergys Agasi, koordinatori i Edi Ramës, ishte mafiozi më i sofistikuar dhe më i rrezikshëm në Europë. Ai ka vjedhur të dhënat personale të çdo qytetari shqiptar për interesa mafioze të familjes Rama. Ka vënë në përgjim telefonat dhe kompjuterët e ambasadave dhe përfaqësuesve të huaj në Shqipëri. Ka eksportuar të dhëna të NATO-s, që i ishin besuar Shqipërisë, te armiqtë e aleancës. Ka shpërndarë informacionet më sekrete te kartelet e drogës dhe organizatat kriminale,” deklaroi Berisha.
Akuzat e bëra nga kreu i Partisë Demokratike pritet të ndezin reagime të forta politike dhe institucionale, ndërsa deri më tani nuk ka një qëndrim zyrtar nga palët e përfshira në këto pretendime.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



