“Berisha s’i bie dot Blinkenit, e i bie Bashës”- Përplasja më dyer të mbyllura në Kryesi
Këlliçi: Hajde te Kuvendi i 11 dhjetorit, s’ke pse e shtyn 1 javë! Duma: Duhet garë brenda partisë, jo rikthime pas 30 vitesh
Por gjatë mbledhjes, nënkryetarët e PD-së kanë dalë më mbrojtje të Lulzim Bashës, ku Enkelejd Alibeaj ka thënë se ‘Berisha s’i bie dot Blinkenit, dhe për këtë i bie Bashës”.
Ndërkohë që deputeti, Belind Këlliçi ka ftuar Bashën dhe demokratët e pranishëm që të marrin pjesë në Kuvendin që do të organizohet më 11 dhjetor nga Sali Berisha dhe 4200 firmëtarët.
Nga ana tjetër, Grida Duma është shprehur se Lulzim Basha duhet të rikthejë garën në PD dhe të votohen në strukturat drejtuese personat sipas meritokracisë, dhe partia të mos kthehet 30 vite pas me Sali Berishën.
DEBATI NË KRYESINE E PD-së
Flamur Noka: Kuvendi që thërrisni ju është ilegjitim. Kryesia është ilegjitime. Ju keni fyer demokratët. Nuk i kemi bërë presion njeriu. Jeni ju që e krijuat problemin, se po të mos përjashtoje ti Berishën, nuk do të kishte ndodhur gjë. Ti bëre goditje. Ne vetëm t’u kundërpërgjigjëm.
Enkelejd Alibeaj: Me thënë të drejtën nuk e kam fare problem që të kemi një kuvend përbashkues. Le të jetë edhe përçarës. Nuk më intereson fare nëse çahet partia. Sepse kjo luftë nuk është për parime. Të gjithë e dinë që dizenjimi i një personin si “non grata” është vdekje politike. Kush bën sikur nuk e kupton, është thjesht duke gënjyer veten, sepse neve nuk na bën pjesë të kësaj gjëje. Unë mendoj se PD do të arrijë t’ia dalë përkundrejt të gjitha akteve për përçarje. Sepse PD qëndron mbi vlera. Demokratët kanë dhënë shumë për Berishën.
Ndërsa Berisha pse nuk jep asgjë tani, por kërkon t’i bëjë pjesë të betejës personale. Nëse arrin t’i bëjë pjesë të betejës personale, atëherë nuk ka asgjë të çuditshme nëse PD përçahet dhe asgjësohet. Në rastin e 11 dhjetorit nuk janë ndjekur procedurat dhe për mua kjo është nulë. Ne duhet të jemi rigorozë. Sali Berisha nuk i bie dot Blinkenit dhe i bie Bashës.
Belind Këlliçi-Bashës: Ke nxjerrë njoftim të paligjshëm. Statuti i FRPD-së është i dorëzuar në instancat më të larta europiane të EPP dhe institucione te tjera. Meqë ke ndërruar 180 gradë qëndrim dhe tani e pranon që ka nevojë për kuvend, bujrëm, hajde në kuvend në datë 11, bashkohu me 4200 delegatët. Shtoji rendit të ditës së 4200 delegatëve edhe pikat e tua dhe hajde të kemi vetëm 1 kuvend. Dhe nuk kemi pse e shtyjmë me 1 javë.
Jorida Tabaku: Të kalojmë këtë ngërç për demokratët, ta mbledhin Kuvendin Kombëtar me 18 dhjetor! I dëgjova me kujdes gjithë kolegët dhe besoj se biem dakord të gjithë për diçka: kjo është një situatë e vështirë për Partinë Demokratike. Nuk është e thjeshtë e aq më tepër për demokratët që çfarë nuk dëgjojnë që dalin nga kjo sallë tani që po flasim e çfarë nuk dëgjojmë çdo natë nëpër emisionet televizive. Dëgjova me shumë respekt dy miqtë e mi, z. Paloka dhe z. Bumçi. Burimi i krizës, tha z. Bumçi, janë zgjedhjet, fillimi i krizës. Gjithçka nisi më 9 shtator, tha z. Paloka. Të biem dakord: kjo situatë vjen nga zgjedhjet apo nga 9 shtatori?!
Kushdo që ka qenë në këtë sallë dhe ka punuar me raportin me ndërkombëtarët, z. Bumçi, ka qenë një raport voluminoz, dhe unë po flas me qytetari, Aldo. Jemi këtu dhe jemi prapë nesër në PD. Raporti i përgatitur për ndërkombëtarët që shërbeu dhe si bazë për raportin e OSBE/ODIHR që e vendosi thuajse të plotë në raportin përfundimtar. Por, kur flas sot me ndërkombëtarët, ato më thonë që “Partia juaj e pranon vetë që keni humbur se natë për natë në televizione ju thoni që keni humbur”. Aldo, ne njihemi aq sa të mos ndërpresim njëri-tjetrin.
Ju fola gjithë respekt dhe po ju drejtohem me respekt. Çfarë beteje për zgjedhjet mund të bëjmë ne kur vetë anëtarët e PD-së e pranojnë që keni humbur dhe nuk janë vjedhur?! Çdo natë nëpër TV këto dëgjojmë se si u humbën zgjedhjet. Pse e ka fajin njëri apo tjetri që u humbën zgjedhjet! Diskutimi që ne po bëjmë sot këtu e që në disa raste diskutohet dhe gabim. Z. Paloka e njeh statutin për veten e tij dhe e quan veten të zgjedhur, kurse për të tjerët thotë nuk i quaj, Albana që nuk është zgjedhur dhe është komanduar si kryetare gruaje që në 2009-ën, 12 vjet më parë, dhe nuk respekton Statutin, veten e njeh legjitime, ndërsa atyre që janë zgjedhur nuk ia njihni zgjedhjen sipas statutit.
Ose të biem dakord dhe të interpretojmë për të gjithë njëlloj statutin këtu, ose të zihemi dhe të ndërtojmë institucione paralele. Nuk ka nder më të madh që i bëjmë Edi Ramës ne se sa të deklarojmë se nuk e njohim sekretariatin e PD-së, nuk e njohim kryesine e PD-së. Ky është nderi më i madh për Edi Ramën, deligjitimimi i çdo institucioni të partisë dhe këtë nder po ia bëni ju.
Jam që 16 vjeçe në Partinë Demokratike, kurrë s’kam pasur funksione në këtë parti politike, i nderuar z. Paloka. Vetëm përpara dy muajsh e mora një funksion, kam punuar me kokën ulur edhe për një punë që nuk më takonin t’i bëja. E kam bërë për të mirën e PD-së, jo për një zyrë, se mua nuk më intereson aspak një zyrë, madje as për një vulë nuk kam punuar. Kjo është e turpshme që ne sot diskutojmë për një zyrë apo për një vulë. Ne po e bëjmë këtë betejë që të dalim më të fortë.
Po ju drejtohem juve, z. Paloka dhe z. Bumçi, se ju konsideroj miq dhe nuk po them asnjë gjë që nuk e kam thënë dhe jashtë kësaj salle në privat. Për mua nuk është çështje e interpretimit të Statutit, por është një vendim politik. Pra, ta kalojmë këtë ngërç. Të biem dakord për një datë dhe unë këtë besoj se ka parasysh ky propozim, pavarësisht mekanizmit që e vë në lëvizje mbledhjen e Kuvendit, pra e kërkon kryetari apo firmat e anëtarësisë apo kryesia, pavarësisht kësaj, ne të biem dakord që të kemi një kuvend.
Por që të sillemi kështu ku njohim njërin dhe nuk njohim tjetrin, për këtë biem dakord e për atë tjetrën jo, më vjen keq, por këto janë veprime absurde dhe nuk bie dakord. Më duken absurde se e gjithë kjo sjellje është në favor të kundërshtarit tonë. Unë e kam diskutuar dhe me shumë prej jush këtu se sa herë që ne themi një fjalë, menjëherë sulmohemi, linçohemi dhe bullizohemi, madje edhe kur ka argument te çfarë thua apo dhe kur ka etikë.
Ka shumë demokratë që kanë zgjedhur të heshtin, sepse kanë frikë nga sulmet edhe bullizimet dhe gjëja më e keqe që mund t’u bëjmë demokratëve është kur një përfaqësues i njërës palë apo i palës tjetër të marrë demokratët në telefon dhe t’i pyesë në ishin apo nuk ishin, firmosën apo nuk firmosën. Mos t’i përdorim emocionet e demokratëve.
T’i thërrasim demokratët me kuvend normal me datën 18 dhjetor dhe të vendosin siç e mendojnë. Çfarë problemi ka që të biem dakord për këtë datë? Apo thjesht doni të impononi datën tuaj?! Unë besoj që këtu ka një vullnet politik për ta kaluar ngërçin. Doni kuvend? Hajde bëjmë kuvend. Sot, kur shkoj të takoj demokratët, i shoh që janë të dëshpëruar kur dëgjojnë se si ne zihemi e duket sikur po hamë njëri-tjetrin. Unë dëshpërohem kur shoh demokratë që zihen me njëri-tjetrin. E kalojmë këtë ngërç për demokratët dhe mos t’i vendosim në moment të vështirë. Ka prej tyre që nuk janë as me Bashën dhe as me Berishën, por janë sinqerisht me PD-në. E mbledhim kuvendin në 18 dhjetor, e sqarojmë edhe këtë çështje, madje dhe pikat e Statutit që e kanë merak disa dhe e interpretojnë si të duan dhe kur të duan ato. Unë nuk besoj që ka 2 PD, ka 1 PD sot dhe po ashtu 1 PD do të ketë dhe nesër. Le ta kalojmë këtë ngërç, jo për interes të Bashës apo interes të Berishës, por për interesin e demokratëve që na kanë ndjekur dhe votuar.
Aldo Bumçi: Jeni fajtorë për humbjen që i la demokratët në opozitë. Amerikanët edhe kur të takojnë e të mirëpresin nuk të thonë se e ke të fituar. Kriza të zgjidhet duke dëgjuar delegatët.
Grida Duma: Po propozoni sot datën 18 për kuvend, po është një akt i madh i përballimit. Unë besoj te veprimi politik dhe i bërë mirë. Dëgjoj sot disa që kërkojnë shpëtimin te vota popullore. Krimet më të mëdha të njerëzimit janë bërë në emër të popullit. Sa herë kanë ulëritur “çdo populli bën partia” është bërë “çdo partia bën populli”. A ka mbaruar apo jo koha e dikujt në këtë parti, e Sali Berishës. Mbaj mend që në 2013-ën Sali Berisha tha kam dhënë dorëheqjen, nuk kthehem kurrë. A ka mbaruar apo jo koha e dikujt, një individi apo jo, kjo mbetet retorikë. Ajo që di mirë është që koha ka ardhur që të zhduket kulti i individit!
Ky kuvend i datës 18 duhet të jetë reflektim i vërtet, jo një ndjesë hipokrite me problemet tona. Ky është një moment që shënon si do jetë fati i kësaj partie. E kjo parti duhet të jetë e vërtet. Janë emëruar, promovuar e mbështetur njerëz me pa të drejtë për të mbajtur balancat e dikujt dhe gjoja përfaqësimet. Kjo parti duhet të njohë mirë çfarë është gara çfarë është meritokracia.
Ne të gjithë këtu, më pak a më shumë, kemi marrë nga Partia Demokratike, ata që janë jashtë, jo. E nëse nuk dimë ne që kemi marrë të japim të ikim nga politika. Kjo që kemi bërë është e vetmja mënyrë që e bën partinë fituese e fitoren ua detyrojmë atyre qe presin nga ne. Kjo parti ka boll kohë që nuk i përballon të vërtetat e veta. Kam dëgjuar liderë që sepse kërkojnë falje janë të pafajshëm. Qe thonë “ato janë fjalë fushate” dhe këto janë të tjera. Pas 30 vjetësh kjo parti në disa nivele bën diskutimin që të kthehet po tek i njëjti kult individi. Kulti i individit duhet të bie e të nisë gongu i garës. Ky është mision për ty, kryetar.
Bëje këtë parti një parti të së ardhmes. Një parti të garës, jo të emërimeve, se prandaj jemi këtu sot. E vlerësoj shumë secilin që ka thënë mendimin e vet pro apo kundër, vlerësoj këdo që ka një qëndrim. Nuk kam asnjë respekt për ata që bëjnë gjoja asnjanësin dhe të heshturin e të mendojnë që do të përfitojë një ditë nga ky qëndrim. Flisni për bashkime! S’ka bashkime pa kohezion. Bashkime me forcë, me imponim, se ne ju kërcënojmë janë ndasi dhe dobësime. Këto bashkimet e kanë çuar këtu këtë parti. Pa kohezion e pa besime të brendshme, se kështu është bërë deri sot.
Albana Vokshi: Flisni për struktura paralele, por ju keni krijuar struktura jashtë partisë, grup që linçojnë këdo që mendon ndryshe nga ju e është kritik juaji. Struktura paralele po krijoni ju: keni ngritur një grup për LDGSH-në ndërkohë që po fyeni mundin e 10 mijë grave që kanë marrë pjesë në procesin e vitit që shkoi. Ju po krijoni struktura paralele me vendime antistatuore, antidemokratike. Ju ka rënë popullariteti. Përballuni me Berishën në Kuvend e nëse fitoni, ju na keni pas. Demokracia është votë. E nuk është uzurpim i hapësirave që nuk ju takojnë. Vendimet në 11 dhjetor i merr anëtarësia, jo ju.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



