Berisha, sulm ndaj Dumanit: Shenja paniku apo mesazh presioni?
Sali Berisha ka nisur një ofensivë të paprecedentë ndaj kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani, duke kaluar çdo kufi të etikës dhe ligjit. Në një akt që flet më shumë për dëshpërimin e tij sesa për ndonjë argument të vlefshëm, Berisha ka përfshirë në sulmet e tij edhe familjen e kryeprokurorit, një lëvizje që i kalon vijat e kuqe të çdo shoqërie të civilizuar.
Gjatë një interviste televizive te Blendi Fevziu, ish-kryeministri tregoi një foto të Dumanit dhe bashkëshortes së tij, një veprim që më vonë e përsëriti para mediave. Në një vend normal, ky do të ishte një shkelje flagrante e ligjit, duke përbërë kërcënim të hapur ndaj një zyrtari publik dhe familjes së tij. Por në Shqipëri, ky akt shërben si një paralajmërim i heshtur ndaj prokurorit dhe një përpjekje për të krijuar një klimë frike.
Berisha dhe frika e SPAK-ut
Ky sulm nuk vjen në boshllëk. Altin Dumani është një nga figurat më të mbrojtura në Shqipëri, jo vetëm për shkak të detyrës së tij, por edhe për luftën e tij kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet më të larta politike. Berisha, i cili është në qendër të disa hetimeve të SPAK, duket se po i paraprin goditjeve që mund të vijnë.
Sinjalet nga SPAK janë të qarta: institucionet po i afrohen gjithnjë e më shumë Berishës dhe familjes së tij. Dosja “Gërdeci” mbetet një nga çështjet më delikate, ku përveç Fatmir Mediut, hetimet prekin edhe Shkëlzen Berishën. Dëshmia e fundit e ortakut të Efraim Diverolit ka zbuluar detaje të reja për përfshirjen e djalit të ish-kryeministrit në aferën e fishekëve.
Po ashtu, dosjet “21 Janari” dhe CEZ-DIA janë në qendër të hetimeve. Të dyja rastet përfaqësojnë plagë të mëdha për shoqërinë shqiptare dhe, nëse SPAK i çon deri në fund, pasojat për Berishën dhe aleatët e tij do të jenë të mëdha.
Haklajt, Izet Haxhia dhe dosjet e tjera
Një tjetër peshë që duket se e rëndon Berishën është padi e familjes Haklaj. Dëshmia 12-orëshe e Aishe Haklajt, si dhe akuzat e ngritura nga Izet Haxhia, e vendosin ish-kryeministrin në një pozitë të vështirë. Berisha ka kaluar vite duke anashkaluar këto akuza, por tani duket se është më pranë një përballjeje serioze me drejtësinë.
Pse sulmi ndaj Dumanit tani?
Berisha është mjeshtër në manipulimin e opinionit publik dhe në shfrytëzimin e momenteve për të tërhequr vëmendjen nga problemet e tij personale. Duke e sulmuar Dumanin dhe duke përfshirë familjen e tij, ai përpiqet të delegjitimojë SPAK-un dhe të paraqesë veten si viktimë të një gjuetie shtrigash. Por ky narrativë po zbehet.
A po i paraprin Berisha prangave?
Nëse analizojmë ecurinë e sulmeve të Berishës, një model bëhet i qartë: sa herë që drejtësia i afrohet, ai ashpërson retorikën dhe intensifikon sulmet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo ndodhi me dhëndrin e tij, kjo po ndodh edhe tani me Dumanin.
Pyetja që ngrihet është: a do të ketë zhvillime të reja para Vitit të Ri? Sinjalet janë se SPAK po e forcon ritmin e tij dhe se Berisha e ndjen peshën e asaj që po vjen. Sulmet e tij nuk janë vetëm një shpërthim nervash; ato janë një tentativë e dëshpëruar për të ndaluar të pashmangshmen.
Në një vend normal, kërcënimet ndaj zyrtarëve të drejtësisë do të ishin të mjaftueshme për të nisur një hetim penal. Në Shqipëri, mbetet të shihet nëse institucionet do të tregojnë kurajë për të mbrojtur integritetin e drejtësisë dhe të luftojnë deri në fund këtë betejë për drejtësi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



